Gjykata e Durrësit ka vendosur masë sigurie “arrest në shtëpi” për Taulant Demerxhiun dhe Vladimir Kokomanin, të cilët u arrestuan tre ditë më parë me 80 mijë euro.

Gjatë operacionit “Suspicion” u arrestuan në flagrancë shtetasit Taulant Demerxhiu, 33 vjeç, banues në Fushë-Krujë dhe Vladimir Kokomani, 43 vjeç, banues në fshatin Hardhishte, Shijak.

Në fshatin Hardhishte, në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 80 000 euro të lyera me bojë sigurie, që dyshohet se janë vjedhur në banka të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen në tregun e brendshëm.

Ata akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.