Aktori francez Olivier Martinez ka akuzuar ish-bashkëshorten e tij, aktoren Halle Berry, se ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tyre 12-vjeçar, Maceo, gjatë një konflikti mes tyre.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga People, Martinez pretendon se më 26 shtator, Berry është përplasur me djalin e tyre, i ka vendosur duart rreth qafës dhe është përpjekur ta mbyste.
Ai e ka përshkruar këtë si incidentin “më të fundit” të një serie të pretenduar rastesh dhune. Në dokumentet e depozituara në gjykatë, Martinez pretendon se “kanë ndodhur edhe incidente të tjera abuzimi gjatë viteve të fundit”.
Babai i fëmijës ka paraqitur në gjykatë një kërkesë për masa të përkohshme mbrojtëse, duke kërkuar ndërhyrjen e gjykatës lidhur me situatën.
Në kërkesë janë përfshirë edhe një sërë mesazhesh mes ish-çiftit, në të cilat ata diskutojnë me tone të tensionuara se me cilin prind do të qëndronte djali gjatë atyre ditëve.
Në një prej mesazheve, Berry shprehet se është nëna e tij dhe se ndihet e shpërfillur nga djali. “Jam nëna e tij! Ai nuk më respekton aspak dhe as ti, si babai i tij, nuk duhet ta pranosh këtë. Nuk më respekton, ndihem sikur nuk kam zë në asgjë. Jam thjesht një portofol! Kjo nuk është e drejtë!”, thuhet në mesazhin e saj.
Të nesërmen, më 27 shtator, Berry i ka dërguar Martinez një tjetër mesazh, duke i kërkuar që ta inkurajonte djalin të fliste me të.
“Do ta vlerësoja vërtet nëse do ta inkurajoje të fliste me mua sot. Ndihem tmerrësisht keq për atë që ndodhi mbrëmë dhe e di që edhe ai ndihet kështu”, thuhet në mesazh.
Avokatja e Halle Berry: Akuzat janë të pabazuara
Avokatja e Halle Berry, Marina Beck, i ka cilësuar pretendimet e Martinez si “krejtësisht të pabazuara dhe qëllimisht mashtruese”.
Ajo ka deklaruar se Berry, pavarësisht se është “thellësisht e trishtuar” nga situata, nuk do të lejojë që akuzat ta pengojnë të mbrojë atë që ajo e konsideron si interesin më të mirë të djalit të tyre.
“Berry është mësuar me këtë lloj sjelljeje nga zoti Martinez dhe, megjithëse është thellësisht e trishtuar, nuk do të lejojë që kjo ta pengojë të luftojë për të mirën e Maceos dhe t’i ofrojë atij dashurinë dhe mbështetjen që i nevojiten”, ka deklaruar Beck.
Nga ana tjetër, avokati i Martinez, Patrick Baghdaserians, ka thënë se shqetësimi kryesor i klientit të tij është “shëndeti, mirëqenia dhe siguria e fëmijës së mitur”.
Sipas tij, pikërisht për këtë arsye Martinez iu drejtua gjykatës me kërkesë për një urdhër kufizues në kuadër të një çështjeje që ai e ka paraqitur si dhunë në familje.
“Shqetësimi i dytë do të ishte që nëna të marrë ndihmën e duhur që i nevojitet për të trajtuar problemet e saj, në mënyrë që të mund ta përmirësojë situatën e saj, gjë që në të ardhmen do të ndihmonte edhe fëmijën”, ka shtuar Baghdaserians.
Ai e ka përshkruar Martinez si “një prind të dashur” që “është përpjekur të bëjë më të mirën e mundshme”.
“Gjithmonë është e vështirë kur ekziston një marrëdhënie bashkëprindërimi. Në këtë moment, shqetësimi ynë kryesor është i vetëm: të mbrojmë këtë fëmijë të mrekullueshëm”, ka deklaruar avokati.
Halle Berry dhe Olivier Martinez u divorcuan në vitin 2023
Halle Berry dhe Olivier Martinez paraqitën kërkesën për divorc në tetor të vitit 2015, rreth dy vjet pas martesës së tyre.
Pas një procesi që zgjati gati tetë vjet, divorci u finalizua në vitin 2023. Ish-çifti ra dakord për bashkëkujdesin ndaj djalit të tyre, Maceo.
Sipas marrëveshjes gjyqësore, Berry pranoi t’i paguante Martinez 8 mijë dollarë në muaj si mbështetje financiare për fëmijën. Ajo gjithashtu u detyrua të paguante 4.3% të çdo të ardhure që merrte mbi 2 milionë dollarë.
Berry mbulon gjithashtu kostot e shkollimit privat të djalit, uniformat dhe mjetet shkollore, si dhe shpenzimet për aktivitetet jashtëshkollore. Në marrëveshje ishte parashikuar edhe rimbursimi i Martinez për shpenzime të tilla që ai kishte mbuluar gjatë vitit shkollor 2023-2024.
Halle Berry është gjithashtu nënë e Nahla, 18 vjeç, të cilën e ka me ish-partnerin e saj, Gabriel Aubry.





