Megjithëse ka kaluar më shumë se 1 javë nga procesi i votimit të 11 majit, numërimi i zarfave të diasporës për votat preferenciale vijon ende.
Për qarkun Durrës janë hapur deri më tani 17414 zarfa me vota preferenciale nga 20467 në total.
Vota e diasporës nuk ka sjellë ndryshime në renditjen e kandidatëve të koalicionit PD-ASHM, pasi vijon të kryesojë listën e më të votuarve ish-prokurori Arjan Ndoja me 815 vota, i pasur nga aktivisti Aulon Kalaja me 707 vota.
Ndërkohë fakti interesant konstatohet tek renditja e kandidatëve të listës së hapur të PS.
Ndryshe nga çfarë rezultoi nga numërimi i votës preferenciale brenda vendit, ku deputeti Arkend Balla renditej më i votuari me 18715 vota (ndër më të votuarit në rang vendi), i pasuar nga kandidati Ani Dyrmishi me 11588 vota, tek votat e diasporës situata është komplet ndryshe.
Balla nuk është më në vend të parë, as në vend të dytë, por është spostuar në vend të tretë me 1511 vota.
Vendi i parë mbahet nga Dyrmishi me 1865 vota, që nga nisja e numërimit të votave preferenciale nga jashtë vendit, ndërsa i dyti renditet deputeti Ilir Ndraxhi me 1627 vota.
Deputeti Ndraxhi, që ka qenë në Kuvend për dy mandate rresht, nuk mundi të fitojë një mandat të tretë, megjithëse renditet në vendin e tretë për nga preferenca e votuesve.
Për shkak të respektimit të kuotës gjinore, në Kuvend, PS do të dërgojë kandidaten Etleva Budini, e cila për nga numri i votave të marra renditet e katërta.
Në qarkun e Durrësit, PS nxorri 8 deputetë, ndërsa 6 i mori koalicioni PD-ASHM.
M.B.