Policia në Durrës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë një 77-vjeçar, banues në Rrogozhinë, për keqtrajtim të kafshëve.

I moshuari, në një video të postuar në JOQ, shihet teksa keqtrajton një mace.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës:

Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një shtetas duke keqtrajtuar një mace, ju informojmë se:

Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë kryen verifikimet dhe në përfundim të tyre u bë identifikimi i autorit të rastit, shtetasit R. B., 77 vjeç, banues në Rrogozhinë. Për 77-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”, sipas parashikimeve të nenit 207/c të Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës fton median dhe qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë, konform ligjit dhe me paanshmëri.