Nga Arjeta Klari Cumani

Ardhja e komunitetit boshnjak në Shijak daton rreth viteve 1878-1897. Të dhënat historike tregojnë se emigrimi pati tre faza dhe u shkaktua nga gjenocidi i ushtruar ndaj popullsisë myslimane në kohën e luftës Austro-Hungareze.

Për t’i shpëtuar masakrës, myslimanët e dëbuar hipën në anije dhe u nisën drejt Turqisë, aso kohë kur Shqipëria ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Historia tregon se gjatë këtij rrugëtimi anija pësoi një avari dhe ndaloi në portin e Durrësit. Rrëfimet e anëtarëve të komunitetit tregojnë se një hoxhë boshnjak nisi bisedimet me autoritetet e vendit dhe u dakordësua që ata të qëndronin në kodrat e Shijakut, përkatësisht në fshatrat Koxhas dhe Borakë, ku banojnë edhe sot.

Në hyrje të fshatit gjendet një tabelë me mbishkrimin “Mirësevini në Borakë” e shkruar në të dy gjuhët, atë shqiptare dhe boshnjake. Fshati mban një sërë elementësh simbolikë të Bosnjë Hercegovinës, mes të cilave është dhe kjo urë e vogël, e ndërtuar në kujtim të urës ikonike të Mostarit që kalon mbi lumin Nertevë.

Rrugëtimi në Borakë shoqërohet me pamjet e shtëpive të banorëve, të kuruara dhe mbresëlënëse, që i përshtaten kohës.

Edhe shkolla e fshatit mban një emër që lidhet me historinë e komunitetit. Adem Sabli, ka qenë një atlet i njohur me origjinë boshnjake që ka garuar për Shqipërinë duke shënuar një sërë rekordesh në vitet ’60. Ai pati një marrëdhënie të vështirë me regjimin komunist, e cila kulmoi me një arratisje spektakolare nga aeroporti i Beogradit, më 3 gusht 1965.

Afër shkollës ndodhet edhe xhamia e fshatit, ku komuniteti i zonës që është kryesisht mysliman kryen ritet dhe adhurimet fetare.

“Bashkëjetesa midis Shqiptarëve dhe Boshnjakëve” 

Vezire Miça, e martuar në fshatin Borakë në kohën e regjimit komunist, tregon historinë e jetës së saj, mes vështirësive për t’u përshtatur në fillim dhe shembullit të punës së ndershme, me anë të së cilës familja e saj ka arritur të ngre një biznes që i ka vënë pikërisht emrin e kryeqytetit boshnjak, Sarajevë.

Adem Kllari, një tjetër anëtari komunitetit boshnjak në Borakë tregon si familja e tij mbërriti në Shqipëri: “Në atë kohë gjyshi im ka qenë 2 vjeç, ka qenë jetim, ka ardhur pa prindërit, ka ardhur i shoqëruar nga banorë të komunitetit që u vendosën këtu në Durrës”.

“Mbas vendosjes së komunitetit boshnjak në fshatin borakë dhe Koxhas filloi normalizimi i jetës me to sakrificat që ekzistonin në atë periudhë edhe me dashamirësinë që na priti populli i Shijakut, njëkohësisht ne ja shpërblyem me dashurinë që e kemi si karakteristikë dhe si komunitet”, përfundon Kllari.

Adem Kllari është themelues i shoqatës “Zambak” e krijuar 20 vite më parë për të vlerësuar bashkëjetesën e komunitetit boshnjak me shqiptarët dhe prej vitesh kontribuon në forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, duke u nderuar me një sërë titujsh mes të cilit “Qytetar Nderi” i Durrësit.