Një grup të rinjsh nga klubi Rotaract Durrës, nën kujdesin e rotarianëve Indrit Hamitit dhe Gerti Çallikut nga RC Durrës kanë kryer një akt mjaft domethënës këtë të premte.

Për herë të parë, Shqipëria feston sot zyrtarisht Ditën e Alfabetit dhe pikërisht në këtë datë të shënuar vjen një surprizë e bukur për bibliotekën Linkest dhe themeluesen e saj Emira Selimi.

Rotaraktorët udhëtuan nga Durrësi drejt qytetit të Bitolës (Manastirit) në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të dhuruar 500 libra shqip, të cilët do të pasurojnë edhe më shumë fondin e kësaj biblioteke.

“Sot ne diten perkujtimore te Kongresit te Manastirit se bashku me te rinjte e klubit Rotaract Durres dhuruam 500 libra ne shqip per Biblioteken Linkest te themeluar nga e palodhura Emira Selimi. Vleresim dhe respekt i vecante dhe per tre motrat e saj vellain bashkeshortin e prindet qe i jane bere krah ne kete sipermarje patriotike te veshtire e me shume te papritura. Nje model uniteti dhe rezatimi vlerash”,- shkruan në një postim në rrjete sociale rotariani Indrit Hamiti.

Qyteti i Manastirit (aktualisht Bitola) ka një rëndësi specifike për shqiptarët anembanë botës.

Pikërisht në këtë qytet, 116 vite më parë u unifikua në Kongresin e Manastirit ai që sot e njohim të gjithë si Alfabeti i Gjuhës Shqipe.

Shqiptarët e konsiderojnë nëntorin si një nga muajt më të rëndësishëm të vitit përsa I përket festave kombëtare, pasi më datat 28 dhe 29 nëntor është shpallur pavarësia dhe çlirimi i vendit.

Po historia e zyrtarizimit të shtetit shqiptar nisi më 22 nëntor të vitit 1908, kur Kongresi i Manastirit standardizoi alfabetin e gjuhës shqipe, që sot përkujtohet si dita e alfabetit.

Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.