Ulet numri i lindjeve në maternitetin e Durrësit. Viti 2021, që përkon me periudhën pas pandemisë Covid-19, është periudha me numrin më të lartë të lindshmërisë, ndërsa në vitet e tjera trendi është në rënie.
“Në maternitetin e Durrësit vihet re një rënie e numrit të lindjeve nga viti 2020 deri në vitin 2023. Në vitin 2020 kanë qenë 2263 lindje, në vitin 2021 janë regjistruar 2356 lindje, në vitin 2022 kemi 2062 lindje dhe në vitin 2023, në 8 muajt e parë janë regjistruar 1218 lindje”,- thotë për “DurrësLajm”, shefja e shërbimit Obstetrik – Gjinekologjik në maternitetin e Durrësit, Diana Shahini.
Për shefen Shahini, rënia e lindjeve vjen si pasojë e 3 faktorëve kryesorë:
“Faktori i parë është rritja e moshës riprodhuese. Çiftet e reja zgjedhin një moshë më adekuate ose më optimale për t’u bërë prindër. Faktori i dytë lidhet me fenomenin, që nuk vihet re vetëm tek ne dhe që quhet “prindërimi i sigurt”. Në ditët e sotme, prindërit duan që fëmijët e tyre t’i kenë kushtet sa më optimale dhe që të kenë kushte sa më optimale, ata duhet të punojnë sa më shumë dhe e kanë të pamundur të bëjnë shumë fëmijë. Nga ana tjetër janë dhe faktorë të brendshëm, siç është shtimi i materniteteve dhe spitaleve private”.
Sipas të dhënave të INSTAT, për tremujorin e parë të këtij viti, numri i lindjeve në mbarë vendin ka rënë ndjeshëm duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada. Rënia e lindjeve ka qenë aq e fortë sa shtesa natyrore ishte negative.
INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e parë të këtij viti numri i lindjeve është 5.164, duke shënuar një rënie me 16,9%, krahasuar me tremujorin e parë 2022, Sipas të dhënave historike të INSTAT, ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90.
Vit pas viti, çiftet e reja zgjedhin një periudhë më të maturuar për t’u bërë prindër dhe kjo reflektohet në shifrat e lindshmërisë. Në qarkun Durrës, sipas shefes Shahini shumë nga çiftet e reja preferojnë të bëhen për herë të parë prindër rreth moshës 30-35 vjeçare.
“Në ditët e sotme lindin dhe nëna që janë në moshën 45, 46 apo 47 vjeçe. Shtatzënitë kanë qenë të mbara. Periudha kur çiftet preferojnë më shumë të bëhen prindër është grupmosha 30-35 vjeç. Pas moshës 35-vjeçe rritet probabiliteti për të lindur fëmijë me risk, referuar këtu operacioneve kromozomike, por në ditët tona kanë dalë metoda depistuese shumë të sofistikuara, të cilat bëjnë të mundur që patologjitë të evidentohen që në javët e para të shtatzënisë”,- thotë mjekja Shahini.
Në tremujorin e parë 2023, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2022.
Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77 lindje.
M.B.