Sali Xhixha ishte piktori i përzgjedhur në vijimësinë e takimeve “Dialog me ngjyrat” organizuar në Durrës.
Jeta e Sali Xhixhës është një jetë kushtuar artit, një jetë e karakterizuar nga pasioni i madh për të bukurën e për qytetin. Alketa Tragaj, drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” Durrës , thotë se është përzgjedhur pikërisht dita e lindjes së tij për këtë bashkëbisedim midis brezash.
“Ne sot përkujtojmë Sali Xhixhën në 93-vjetorin e lindjes së tij. Ai jetoi një jetë të tërë duke iu përkushtuar peizazheve të qytetit të Durrësit, portreteve të personazheve të njohur, por edhe figurave të panjohura. Është një jetë e tërë e Xhixhës që e përkujtojmë në këtë formë”, thotë Alketa Tragaj.
Durrësi, në pikturat e Sali Xhixhës shfaqet në të gjitha dimensionet e tij. Ato tregojnë artistikisht edhe dashurinë e fortë që e ka lidhur gjithmonë me vendlindjen e tij, dashuri që e tregoi duke i dhënë jetë një qyteti plot dritë.
Për ish-kolegët, por edhe piktorët e rinj, emri i Sali Xhixhës mbetet unik në pikturën shqiptare. Për skulptorin, Ivo Moja, përdorimi i spatulave është e veçanta në krijimtarinë e këtij artisti të madh.
Më shumë se 50 prej punimeve të Sali Xhixhës janë ruajtur në fondet e galerisë së arteve.
Mes 1140 punimeve të dhjetra artistëve shqiptarë, që ruhen në fondet e kësaj galerie numrin më të madh e zenë ato të Sali Xhixhës.
Krahas trashëgimisë kulturore, piktori ka mundur të krijojë një lidhje të pandërprerë jetësore me artin, pasi dy djemtë e tij, Ilir dhe Helidon Xhixha përfaqësojnë dy nga emrat më të rëndësishëm të artit modern ndërkombëtar.