Arsenio Valport është zyrtarisht lojtar i Teutës, teksa pas mbërritjes në Shqipëri në ditën e ndeshjes ndaj Shamrokut, klubi durrsak e prezantoi holandezin. Teuta me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin Arsenio Valport.“Drejtuesit e klubit kanë gjetur akordin dhe tashmë lojtari është pjesë e bluve. 28-vjeçari ‘tulipan’ vjen nga kampionati qipriot, ku në sezonin e fundit mbajti veshur fanellën e Ermis. Sulmuesi do të bashkohet ditën e mërkurë me ekipin në stërvitje. KF Teuta i uron mirëseardhjen Arsenio Valport, duke i dëshiruar suksese dhe sa më shumë gola”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e klubit kampion në fuqi të vendit.

Por kush është Valport, i cili vjen në Durrës për të luajtur në pozicionin ku deri pak javë më parë aktivizohej Dejvi Bregu?  Ai e ka nisur karrierën te skuadra e njohur holandeze, Herenven, në sezonin 2011-2012, ku luajti 18 ndeshje në “Eredivisie”. Transferta e parë jashtë vendit e sulmuesit ishte në Hungari, pikërisht te Ferencvaroshi, aty ku qëndroi vetëm një sezon (10 ndeshje1 gol). Më pas u kthye në Holandë te RKC Ualvik, ku shkëlqeu në dy kampionate radhazi, pasi në 50 ndeshje me këtë skuadër, arriti të shënojë 11 gola. Valport u ble në vitin 216 nga Beitar Jeruzalem, por qëndroi pak në Izrael.

Holandezi ka një eksperiencë të shkurtër edhe në Korenë e Jugut me Busan Ipark, për të vazhduar më pas në Belgjikë te KSV Rozelare. Ekselsior dhe Dordreht në Holandë, si dhe Ermis në Qipro janë tri ekipet e fundit ku 28-vjeçari është aktivizuar. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” menjëherë pas prezantimit nga klubi i Teutës, Valport tregoi edhe arsyet pse zgjodhi të vijonte karrierën me kampionët e Shqipërisë. Nga Ermis në Qipro te Teuta në Shqipëri.

Si ndiheni pas këtij kalimi?

Ndihem shumë mirë dhe mezi pres të luaj për ekipin e Teutës. Ndoqa ndeshjen ndaj Shamrokut nga tribuna dhe më erdhi keq që skuadra u eliminua. Gjithsesi, më kanë pritur mirë këtu dhe shpresoj që të jap maksimumin për skuadrën.

Kush ishte njeriu që ju bindi për të zgjedhur Teutën?

Menaxheri i Teutës, Kristi, më kontaktoi dhe më prezantoi me klubin. Ai më dha një ndjenjë shumë të mirë për ekipin kampion të Shqipërisë. Gjithashtu, një shtysë e madhe për mua ishte edhe Lancinet Sidibe, me të cilin luajta në Qipro në gjashtë muajt e fundit tek Ermis. Ai më foli mirë për Teutën, pasi ka luajtur vetë pak vite më parë. Pastaj, ambicia që ky klub ka ma bëri më të thjeshtë. U mendova mirë për këtë dhe e pashë Teutën si ndryshimin e duhur për të vazhduar karrierën. Teuta synon që të jetë sërish kampione dhe të bëjë mirë në Europë, kështu që unë shpresoj se mund të fitojshumë nga aventura këtu.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur gjatë kësaj periudhe?

Unë kisha një ofertë të mirë nga një ekip në Kuvajt, por e refuzova. Gjithashtu, në Qipro kisha disa mundësi. Mund t’ju zbuloj se u interesuan edhe ekipe të tjera me emër në Shqipëri për të më afruar, por në fund, unë bëra zgjedhjen time për të shkuar te Teuta.

Sa gola mendoni se mund të shënoni në kampionatin shqiptar?

Asnjëherë nuk më pëlqen të them se sa do të shënoj. Thjesht mund të them se do të luftoj për ekipin me gjithçka që kam dhe pastaj golat do të vijnë.

Çfarë objektivi personal keni?

Objektivi im personal është që të jap gjithçka për ekipin. Tani që jam këtu në Durrës besoj se gjëra të mira do të ndodhin. Synimi im është të bëhem kampion me Teutën.