PRISHTINË – Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, gjatë një takimi të zhvilluar sot e përgëzoi Presidenten kosovare Jahjaga për rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të dialogut, që po zhvillohet në Bruksel. 

Ai tha se dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve. 

Presidenti Rompuy theksoi se, "për të gjitha vendet e rajonit perspektiva evropiane është e qartë dhe e hapur dhe ato duhet të punojnë për të ndërtuar ura të bashkëpunimit të ndërsjellë". 

Sipas një njoftimi Presidencës kosovare, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga falënderoi Presidentin Rompuy për mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit. 

Presidentja Jahjaga theksoi se, "Kosova ka bërë përparime të theksuara në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit". 

Sipas saj, institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë janë të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji dhe rendi. 
Ajo tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi e punës dhe Kosova ka ngritur të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të luftuar këto fenomene negative.

Presidentja Jahjaga theksoi se, "Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë". Ajo tha se mbështet dialogun, e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-së, që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve. 

Presidentja Jahjaga u shpreh se, "takimi i Presidentëve të të dyja vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, është në funksion të normalizimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dy shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE".