Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Angazhimi itensiv në publiçistikë, më jep mundësinë të shtrij sipërfaqen e temave që trajtoj. Lapsi është çimentuar në këtë mëndjen time dhe e lëviz fantazinë në dobi të investimit shpirtëror. Vasil Miha, ky burrë i mënçur, që na la shumë kujtime, mall dhe përjetime, u nda nga ne me 3 nëntor 2021 në kryeqytetin grek Athinë.

Atje ishin dy djemtë Sokoli dhe Fredi. Nuk i la vetëm. Gruaja e tij e jashtëzakonshme Roksani, e cila meriton të mbetet në kujtesën tonë deri në fund, banesën e përjetshme e ka në Durrës. Por parajsa është një dhe e vetme. Pavarësisht se Vasili ndodhet në Athinë, janë së bashku në familjen e të përkujtuarve dhe të mos harresës.

Por Zoti, i madhërishmi ynë, nuk ia ka lënë Vasil Miha-s emrin vetëm tek të larguarit. Por i ka taksur shansin e madh, për ta bërë të përmëndur në një mundësi shumë të rrallë. Nipi i tij është në sfidë të jetës, për t’i dhënë favore jo vetëm vetes, por edhe tokës së tij të të parëve, Durrësit ku u lindën dhe u rritën prindërit Sokoli dhe Mira.

Ai quhet Vasilis Mihas. Është emri i pagëzimit. Feja ka fuqinë e besimit dhe pranohet nga secili brenda shpirtit. Dhe Vasilis Mihas ka edhe një arsyje më shumë, ku rrugës që po i përkushtohet të jetë dy, ai dhe gjyshi i tij Vasil Miha.
Vasili prind dhe gjysh, kujtohet në Durrës si ushtarak i zoti, por mbi gjithçka si njeri më cilësi të veçanta. Cili e ka njohur, nuk e besoj të mos më japë përkrahje dhe t’i bashkohet mendimit. Tre djemtë e Vasilit dhe Roksanit, janë edhe ata të njohur. Edmond Miha futbollist i “Lokomotivës” dhe nga specialistët e njohur të futbollit shqiptar. Prej vitesh e ushtron specialitetin në Austri. Sokoli mekanik (hidraulik) specialist me emër. Fredi mjeshtër i kuzhinës.

Pas vitit 1990, emigracioni e preku edhe familjen e Vasilit. Sokoli dhe Fredi zgjodhën Athinën dhe qëndruan së bashku. Pak më vonë thërritën edhe babain e tyre. Por Durrësin nuk e harroi ky Vasil Miha. Sa e mbajtën fuqinë avionit dhe në Durrës, pranë shokëve dhe miqve të vjetër, të cilët e pritnin krahëhapur.

Mira, e ëma, është vajza e Nikolla dhe Lefteri Petanit. Mikel Petani është vëllai i saj. Intelektuali i njohur në Durrës Vasil Petani, e ka mbesë Mirën. Petanët janë fis me emër në Durrës dhe përfaqësohen me të mirat e tyre. Mira apo Eleni Petani, mbaroi fakultetin ekonomik dega plan dhe punon në sektorin farmacuetik në Athinë.

U detyrova ta bëja këtë hapje të shtrirë të shkrimit, pasi ky Vasilis Mihas që ka rrëmbyer interesimin e jashtëzakonshëm të publikut grek, me filmat dhe aktrimin që po realizon, është nga Durrësi. Dhe durrsakët e presin si dhuratë të çmuar, që Vasilis Mihas, djali i Eleni Petanit dhe Sokratis Miha, i vëllai i Marinës, nipi i Roksanit dhe Vasilit po dominon në teatrin dhe filmin grek. Nuk mund të pohoj se është i pari, por 31 vjeçari durrsak po korr suksese të bujshme, me përmasa të pamenduara. Dhe kjo na gëzon. Na rrit entuziazmin. Na ngacmon krenarinë, duke rrëmbyer kënaqësi të pazakontë.

Bukuria fizike është mahnitëse. Bukuria shqiptare nëpërmjet Vasilis Mihas, hedh hap prezantimi në përmasa të bujshme. Ishte kjo bukuri, që detyroi një specialiste greke të modelingut t’i jepte atë shans, sa do t’ia ndryshonte jetën. Vasilis ka lindur në Greqi me 31 maj 1991.

Fare i vogël provoi të ushtroj futbollin. Siç e shpjegon në bisedat që kemi bërë me të, kërkonte t’i ngjante xhaxhait Mondit dhe të jatit. Trupi gjigand mbi 192 centimetra, ia mundësoi avantazhin, por tersi i prishi punë. Dëmtime pas dëmtimesh dhe mjekët ia ndaluan ta ushtronin topkëmbën.
Grekia e modelingut, e dërgoi në Milano në Fashion Week dhe për pesë vite Vasilis Mihas, bëhet shumë i njohur. Shkon në Kinë për disa muaj, pozon në pasarelat me emër në Madrid, Paris, Londër, Berlin e gjetkë. Vasilis Mihas po pushtonte faqet e para të revistave të njohura të modelingut. Për të flitej brenda dhe jashtë Greqisë.
“Punë shumë e lodhshme, shprehet Mihas, por vlejti si një përvojë e çmuar”.

Punoi shumë, shumë. Rrugë e vështirë për t’u hapur, por karakteri dhe energjia e genit nga vinte, e vendosi në raporte sfiduese. Dhe fjala sfidë do ta shoqëronte për një dhjetëvjeçar dhe me gjasa s’do t’i ndahet në tërë jetën artistike.
Lëvizje, stërmundime, larg familjes pasi ishte edhe shumë i ri pa mbushur të 20-tat, kthehet në Athinë. Vendos të punonte në një bar, thjesht për të ruajtur raportet ekonomike dhe të ishte në përgjim të shansit dhe fatit që mund t’i ofrohej. Dhe durrsaku ynë, djali i Sokolit dhe Mirës, i nipi i Vasilit me të filluar punë, tërhoqi vëmëndjen e një casting director, i cili i bëri propozimin që rezultoi magjik për Vasilis Mihas.

-Djalosh, i tha greku i artit, ke dëshirë të merresh me aktrim. Shikoj fizikun tënd, pamjen engjëllore, mënyrën se si flet, si komunikon, si buzëqesh, si lëviz.
-Sigurisht që po, foli Vasilis Mihas, pa pritur që mendimi t’i ngacmonte vendin ku strehohet gjykimi. Jam marrë me modeling, por nuk munda të vazhdoj. Do ta mirëpritja nëse më jepet mundësia.
I miri casting director, e rregjistroi në kurset për aktrim. I dha shansin të studioj. Më pas kërkoj që t’i bëhej kinoprovë për një telenovelë. Përgjigja nga produksioni ishte e menjëhershme: “ Një fat dhe mrekulli që na erdhi në derë. Kalon provën”

Jeta është edhe shans. Është edhe fat. Por Vasilis-i ynë nuk hezitoi dhe pranoi tjetër sfidë me shkallë të lartë vështirësie. Ishte i bindur se jo vetëm me bukuri trupore, por me energjinë e brëndëshme, me pasionin që thyen shkëmbin, me durimin që ia kalon edhe të duruarit, me besimin në vete dhe në Zot, do t’ia dilte. Mrekullia ndodhi. Është ajo mrekulli, që po e dërgon këtë Vasilis Mihas në qiellin e shtatë.

Oferta, kontrata, fama po rritej me shpejtësi. Teatri Kombëtar i Athinës e vendos në personel. Sukses i jashtëzakonshëm. Produksione të ndryshme kërkonin ta “rrëmbenin” djaloshin durrsak, për ta vendosur në role kryesore. Nga teatrit në film. Nuk kishte kohë as të merrte frymë. Babai i tij Sokoli, vazhdon i qetë punën si profesionist ku familjet greke janë në përkëdhelje të mjeshtërisë së tij. Mira Petani, e angazhuar maksimalisht dhe me vlerësime në profesionin e farmacistes.

Marina, e motra aq e shtrenjtë për Vasilis, studion në universitetin britanik të Oksofordit, historia e të cilit zë fill në vitin 1167. Është më i mirë në Angli dhe në 10 universitetet më të cilësore në botë. Dega e saj është ekonomi biznes. Kjo e ka lehtësuar Vasilis Mihas, t’i përkushtohet plotësisht filmit dhe telenovelave.
Kino prova e parë me sukses. Telenovela e luajtur në vitin 2018 titullohet “Rikthimi”. Befasi për athinasit dhe mbarë Greqinë. Në telenovelën “Dashuri me Diferencë”, përmasat e suksesit thyejnë çdo limit. Vasilis-it tonë iu dha roli kryesor. Po transmetohet seria e 88-të dhe përfundon e fundit pjesë në qershor të 2023-it.

Kemi qenë prej javësh në lidhje të vazhdueshme me babain Sokolin (Sokratis) me mamanë Mirën (Elena) dhe Vasilis-in. Mësojmë se telenovelën “Dashuri me Diferencë”, po e transmeton televizioni më i fuqishëm grek “Mega”.

-Ndodhem në Qipro, miku i familjes tonë Bujar. Vazhdojmë xhirimet për telenovelën “Toka e Ullirit”. Edhe këtu jam në vëmëndje kryesore. Lodhja është e madhe, por edhe kënaqësia gjithashtu. Konkurenca është tepër e shtrirë. Rolet në teatër nuk më janë ndarë. Të jesh preferencë në Teatrin Kombëtar të Greqisë, duhet të jesh i aftë, ambicioz dhe konkurues. Po përpiqem të depërtoj sa më thellë, në teatrin dhe filmin grek.

Më tërhoqi vëmëndjen, dashuria e madhe e Vasilis për Shqipërinë, Tiranën dhe veçanërisht për Durrësin, vendlindjen e prindërve.
-Kam 6 vite që nuk kam qenë në Durrës. Vija të shikoja gjyshërit. Por ato nuk jetojnë. Më ka marrë malli dhe e pranoj pa hezitim që jam shqiptar. Absolutisht që nga intervistat në televizion dhe në shtypin grek, nuk ka rezerva siç është një shprehje në shqip “për të më parë shtrëmbër”. Kujtoj që vendlindja ime është Athina, origjina e gjyshit është Greqia.

Babai i Vasilit ka qenë mësues në Janinë. Por nuk e mohoj Shqipërinë, që e kam në zemër.
-Je i kënaqur me punën që bën?
-Në art kënaqësia nuk ka fund. Mbaron një xhirim, fillon tjetri. Kohën e kam shumë të kufizuar. Realizojmë 12 orë xhirime në ditë dhe me raste ky orar shtyhet edhe më tej. Punoj fort, por edhe mësoj shumë. Nuk kam kohë të shikoj veten time kur luaj, që të jem në gjëndje të kuptoj ndonjë të meta dhe të përpiqem ta evitoj. Më kanë besuar role kryesore , që më vendos në kërkesa të paambarimta.
-Si e fillon ditën?
-Ngrihem në orën 6.30 dhe nis vrapimet në natyrë. Në kohë të planifikuar shkoj në fitnes. Bëj streçing, gira, ushtrime boksimi, palestër të mirfilltë. Kërkohet fizik i fortë, për t’u përballur me sfidat e aktrimit. Kam banesën time ku jetoj.

Edhe prindërit kanë të tyren. Nuk shihemi shpesh, pasi të gjithë jemi të zënë me punë.
-Çfarë flitet në televizionet dhe gazetat greke për Vasilis Mihas?
-Ka fjalë të mira, për të mos thënë diçka edhe më shumë. Më kërkojnë për intervista. Kanë shkruar shumë. Kur ka çfaqje, në reklamat që vendosen shprehen veçanërisht. Në një televizon nuk ngurrova të them, që Shqipëria është vend shumë i bukur dhe shqiptarët popull mikpritës. Dhe grekët ma kanë miratuar këtë.
-Do të doje të aktivizoheshe me ndonjë film shqiptar?
-E mirëpritur. Dhe kjo kuptohet për shumë arsyje. Dua të shikoj Tiranën. Po edhe Durrësin, ku të takohem me shokët dhe miqtë e familjes time. Producentët shqiptarë të filmave janë shumë të aftë. Por më takon të punoj shumë fort me gjuhën shqipe. Jam 32 vite në Athinë dhe kjo më ka dëmtuar të shprehem pastër në shqip. Po punoj për këtë, megjithëse ndeshem me jo pak vështirësi.
-Mendoni se optimalja e aktrimit në teatër dhe film mbetet Greqia?
-Në Greqi po punojnë jo pak me mua. Kjo më gëzon. Po nëse do të më jepet rasti, të provoj filmin e zhvilluar jashtë kufijve të Greqisë, do ta mirpritja. Dëshiroj të ndeshem me filmin e avancuar në botë. Sidoqoftë është praktikë ndryshe.

Arti e kërkon guximin dhe jam në kohë për ta bërë këtë.
Vasilis Mihas! Vasil Miha! Nipi dhe gjyshi. Sa duheshin të dy. E tani Vasilis jeton me kujtimin më të mirë, më të bukur për gjyshin aq të shtrenjtë, aq të dashur dhe të paharruar Vasilin. Ky Vasil, e lidhi me Durrësin. Ky Vasil, i tregonte për mrekullinë e këtij qyteti, që familjes Miha i rezervoi dashuri dhe respekt të pashoqe. E tani Vasilis i duhet të rikthehet një ditë. Mbase shpejt jo, por edhe vonë mbase gjithashtu jo, për të prekur dhe shijuar qytetin e origjinës së prindërve.

Jam i gëzuar që munda të realizoj shkrimin e parë, mbase jo të fundit dedikuar djalit tonë nga Durrësi do ta quaja. Na takonte ta bënim këtë, pasi është pjesë e jona. Edhe të tjerë po veprojnë kështu, brenda dhe jashtë Greqisë. Po nxitova të mos mbetem prapa, duke qenë fort i bindur se plotësoj dëshirën e shqiptarëve dhe veçanërisht të durrsakëve.

Në fushën e letrave, kam bindjen se ky format publikimi, për momentin mbetet i pari. Dhe isha me fat, pasi çfrytëzova njohjen dhe miqësinë e hershme me familjen Miha, që siç e shpjegova nis që me Vasil Miha-n dhe vazhdon me të tjerët e këtij mbiemri, që ka zën vend në qytetarinë durrsake.

Jam në kënaqësinë e veçantë, se munda të bëj shpejt në kohë, atë që meritohej të kryhej. Vonë mundëm të zbulojmë që një shqiptar, një bir durrsakësh, po korrte madhështi dhe famë në filmin dhe teatrin e avancuar grek.

Suksese me zemër dhe shpirt, djali ynë Vasilis Mihas!

Durrës: 25 janar 2023