Max Verstappen ia doli në sezonin e kaluar të Formula 1 të siguronte titullin e parë duke u shpallur kampion i Botës teksa la në hije një si Lewis Hamilton.

Holandezi e fitoi titullin në garën e fundit, madje në xhiron e fundit në pistën e Yas Marina, megjithatë në një intervistë të fundit, piloti i Red Bull thekson se kampionati nuk fitohet në garën e fundit, por është një rrugëtim i gjithë sezonit dhe se në atë pikë, ai ishte më i mirë se britaniku në çdo statistikë.

Sakaq, Verstappen përgatitet për sezonin e ri, teksa shprehet se mund të jetë edhe më i motivuar se më parë.

“Unë besoj se meritoja të shpallesha kampion i Botës në sezonin e kaluar të Formula 1. Një kampionat nuk mund të ketë si referencë vetëm garën e fundit sepse disa shohin tensionet që u krijuan në xhiron e fundit dhe mendojnë se rezultati i dalë nga pista ishte i gabuar.

Por, nëse shikon të gjithë sezonin, atëherë e kupton se titulli duhej të ishte vendosur më parë. Nuk ndodhi sepse dy herë më nxorrën jashtë gare dhe pati momente ku nuk patëm fat me gomat. Titulli u vendos në garën e fundit vetëm sepse unë nuk pata fat, shikoni statistikat e sezonit sepse ajo pasqyron saktësisht atë se çfarë ka ndodhur.

A kam folur me Hamilton? Jo nuk ka pasur arsye, nuk jemi parë prej garës së fundit të sezonit. Por, nuk ka problem ne jemi garues dhe shohim përpara. E di që është i mërzitur për mënyrën si shkuan gjërat në Abu Dhabi, por siç e përmenda edhe më sipër kampionati duhet parë në përgjithësi dhe jo vetëm në një garë.

Për mua ishte një sezon epik dhe i çmendur. Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit dhe nuk e kam problem që kërkojnë të ulin shkëlqimin e titullit. Nuk ka problem, ata që humbasin gjithnjë ankohen, por fituesit mendojnë ndryshe”.

Sa i përket sezonit të ri unë dua gjithnjë të fitoj, ndoshta tashmë jo në atë mënyrën dëshpëruese. Kjo nuk do të thotë se nuk jam i motivuar, ndoshta jam më shumë se më parë për të përsëritur veten.

Por, kam një ndjesi të mirë, tani ka më pak nxitim. Isha në sezonin e shtatë të Formula 1 dhe vjet kisha shansin e parë të vërtetë për të fituar dhe në fund ia dola.

Të fitosh kampionatin nuk ndodh çdo ditë, ndoshta nuk e fiton më asnjëherë tjetër. Tani kam nevojë për pak fat, makinën e duhur dhe mund ta përsëris vetveten”, u shpreh Verstappen.