Rikonstruksion apo ndërtim nga e para? Mjeshtri i anijeve të drurit Ahmet Lila nuk ka asnjë dilemë në këtë drejtim.

Megjithëse preferon t’i nxjerrë nga duart e tij anijet, nuk mungojnë rastet kur merr përsipër riparime, si kjo që ka këto ditë nëpër duar.

Mjeshtri Lila po punon me maketin e anijes “Gjirokastra”, rreth 1.5 metër, anija më e gjatë mbi të cilën ka punuar ndonjëherë. Mjeti lundrues, i ndërtuar në vitin 1983 në Kantierin Detar të Durrësit, ka qenë pjesë e flotës së anijeve tregtare të kohës.

Maketin e anijes “Gjirokastra” ia ka sjellë një klient për riparim, sepse siç shihet është në gjendje mjaft të keqe.

Po bëhet më shumë se një javë që e ka në duar, por mjeshtri pohon se ka ende shumë punë për të bërë, megjithëse ai punon paraditeve dhe pasditeve me të.

Mjeshtëria e tij në punimin e drurit prej shumë vitesh i ka kaluar kufinjtë e qytetit. Siç tregon vetë mjeshtri, megjithëse nuk i preferon riparimet, këtë herë ishte i detyruar ta bënte, sepse klienti kishte besim vetëm tek ai.

Vitin e fundit, mjeshtër Lila është bërë shpesh protagonist i kronikave televizive të mediave shqiptare. Kjo ndoshta e ka ndihmuar që anijet, të cilat qëndronin stok prej muajsh në shtëpinë e tij, të shiten të gjitha.

Pas riparimit të anijes “Gjirokastra”, mjeshtri i punimit të drurit ka ndërmend t’i kthehet asaj që di të bëjë më mirë, të ndërtojë anijen e radhës….

M.B.