Pamjet që “DurrësLajm” po publikon në videon e mëposhtme tregojnë momentet pak para atentatit ndaj 29-vjeçarit Ermir Dedja, në lagjen nr.18, dhe panikun që përfshin dy të rinj që largohen me vrap në momentin, kur dëgjohen krismat. Në video është fiksuar edhe automjeti në ngjyrë të bardhë, tip Seat”, që përdorën autorët e krimit në atentat.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 00:50, ku u vra me armë zjarri shtetasi 29 vjeçar Ermir Dedja.
Atentati ndaj të riut u regjistrua pranë qendrës shëndetësore të lagjes, ku viktima po lëvizte në këmbë, i veshur me kostum sportiv. Persona të maskuar kanë shfrytëzuar momentin që ai po ecte në trotuarin e një pallati dhe e kanë qëlluar me armë automatike nga pas, në zonën e shpatullave, bëhet me dije sipas burimeve.
Viktima, me origjinë nga Shijaku, por banues në Durrës, jetonte në një banesë në lagjen nr. 11 i vetëm. Ai rezulton person me precedentë penalë.
Në vitin 2015, Ermir Dedja është arrestuar pasi i kishte shitur drogë një grupi personash që synonin ta transportonin atë nga pika kufitare e Morinës drejt Kosovës. Rasti ishte pjesë e operacionit policor të koduar “Jupa 1”. Në një tjetër rast, në vitin 2017, ai është arrestuar pasi kishte përkrahur Ismail Nuredinin në një plagosje në Shijak.
Shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, disa orë më vonë gjetën në fshatin Gërdec, një automjet të djegur tip “Seat” dhe brenda tij një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.