Një tjetër automjet tip Range Rover, prodhim i vitit 2015, është vjedhur në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr.12, në rrugën “Neki Libohova”.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, që “DurrësLajm” po publikon duken momentet kur hajduti merr automjetin e parkuar në anë të rrugës dhe largohet me të.

Pronari i mjetit, shtetasi S. C., ka bërë menjëherë denoncimin në polici, ndërkohë që forcat e rendit kanë nisur punën për të identifikuar dhe kapur hajdutin e mjetit dhe njëkohësisht për të gjetur makinën.

“Kush ka informacion të kontaktojë në nr e tel:+355 69 633 0743. Ka një shpërblim për atë që jep informacion”,– thotë pronari i mjetit.

Pak ditë më parë, një tjetër mjet Range Rover u vodh në Durrës, në lagjen nr.4 dhe vetëm disa orë më pas ai u gjet në zonën e Fushë-Krujës, në Thumanë.

Dyshohet se këto automjete vidhen për tu shitur e përdorur më pas në ngjarje kriminale, por edhe për t’u çmontuar për pjesë.

Vitin e kaluar në Durrës u denoncuan në polici 27 automjete të vjedhura, me një mesatare rreth 2 automjete çdo muaj, ndërsa pas hekurave kanë përfunduar 8 autorë.

M.B.