Vijon të dëmtohet nga persona të paidentifikuar sistemi i ndriçimit rrugor publik në disa lagje të ndryshme të Durrësit.

Së fundmi, “pre” e hajdutëve kanë rënë kabllot e energjisë elektrike në shtyllat e ndriçimit të rrugëve “Marta Buda” dhe “Hysen Myshketa”.

Vetëm tek kjo e fundit, fenomeni i vjedhjes së kabllove përsëritet për të katërtën herë brenda pak javësh.

Kjo situatë vjen në një kohë, kur kanë kaluar vetëm pak ditë, që ndërmarrja “Rruga” sistemoi kabujt e vjedhur më herët.

Siç duket, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme në polici nga ndërmarrja në varësi të bashkisë Durrës, hajdutët e kabllove të energjisë elektrike vijojnë “aksionin” të patrazuar.