Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, goditet 1 rast tjetër i veprimtarisë kriminale së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në Shijak.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, që ka si qëllim goditjen e rasteve në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati të palejuara.

Si rezultat i këtyre kontrolleve është goditur një rast i kësaj veprimtarie kriminale dhe është proceduar penalisht, në gjendje të lirë, shtetasi:

-E. S., 34 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, duke organizuar baste sportive me anë të një aparati celular, në lokalin e tij, të cilin e kishte përshtatur për këtë veprimtari të paligjshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.