Nga Gëzim Kabashi
Koncerti i nxënësës diplomante Eugenia Kristani mbrëmjen e kaluar tërhoqi vëmendjen e nxënësve dhe pedagogëve të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit.
Bashkë me ta, salla e Kon-katedrales “Shën Luçia” ishte mbushur plot me artdashës për të ndjekur një nga violinistet e reja, e cila përfundoi me rezultate të shkëlqyera ciklin 12-vjeçar në liceun e qytetit bregdetar.

Pedagogu Ed Tereziu, kryetar i jurisë për instrumentistët diplomantë tha se nxënësve shumë të mirë u jepet mundësia e një programi më të plotë, të cilin Eugena e përballon me shumë sukses.
Artistja e ardhshme Eugenia Kristani, që u shoqërua në piano nga koncertmaestër Mirela Xhaferraj, interpretoi me aftësi profesionale Sonatën për violinë në Sol minor “Trilli i djallit nga Tartini (1692-1770); Kohën e parë të Koncertit në Re maxhor nga Tchaikovski (1840-1893); nga Esaye (1858-1931) luajti Sonatë nr 3 në Re Minor “Ballade” dhe nga Drdla (1868-1944) interpretoi Fantazi nga “Carmen”.

Të pranishmit i përcollën me duartrokitje interpretimet e violinistes 19-vjeçare e cila është përgatitur nga pedagogët Mira Kurti, që i mësoi hapat e parë dhe pasionin për instrumentin, e më pas në vite nga Eduard Tereziu, Roland Xhoxhi dhe Nevila Kalaja Herczeg.
“Eugenia ka formuar personalitetin e saj përmes muzikës dhe lojës në violinë – tha pedagogu Ed Tereziu. Pasioni, disiplina e punës dhe realizimi i një repertori tepër impenjativ e bën atë një instrumentiste të formuar. Muzika dhe instrumenti kërkojnë studente si kjo vajzë, që kanë njw përkushtim dhe seriozitet për tu admiruar”.
Gjatë viteve të studimit Eugenia është vlerësuar me cmime të para në konkurimet e organizuara në Barleta (Itali), Tiranë, Prishtinë, etj.
Pas vitit 2022 Eugenia Kristani bëhet pjesë e “Albanian Youth chamber Ensemble” dhe e Orkestrës Ballkanike të të rinjve, duke marrë pjesë në veprimtari dhe koncerte në Durrës, Tiranë, Bullgari, Kroaci, etj.