Sot nisi viti i ri akademik në mbarë vendin. Në Universitetin e Durrësit, rektorja Kseanela Sotirofski, teksa iu uroi studentëve suksese dhe një vit të mbarë, u shpreh gjatë orientimit:

“Të jeni të bindur se keni bërë zgjedhjen e duhur. Do të sigurohemi që të keni një vit me ngjarje të rëndësishme shkencore, sociale dhe sportive. Të merrni pjesë në konferenca, trajnime për karrierën, shkëmbime Erasmus+, aktivitete vullnetare etj..”

Sotirofski iu siguroi studentëve mbështetjen maksimale të stafit akademik dhe atij administrativ. “Do të punojmë me përgjegjshmëri, pasion përkushtim për t’ju ofruar arsimim cilësor dhe ndihmuar për rritjen tuaj profesionale. Jini pozitivë dhe krijues dhe do të arrini suksesin që meritoni”, tha ajo.

Rreth 1700 studentë të rinj i bashkohen auditorëve të UAMD-së në sistemin “Bachelor” dhe programet profesionale 2-vjeçare, me përafërsisht 1300 regjistrime në raundin e parë dhe 400 në të dytin.

Për këtë vit më të preferuarat mbeten lëndët e shkencave teknike mjekësore: mamija, fizioterapia, infermieristika, si dhe lëndët e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit.

Rreth 100% të kuotave kanë përmbushur po ashtu lëndët profesionale 2-vjeçare, “Aplikacion Web dhe Dizenjim Grafik”, “Specialist Pajisjesh Elektronike”, “Menaxhim Transporti”, e të tjera programe studimi 2-vjeçare, që janë të orientuara drejt tregut të punës.

Gjithashtu, ka pasur një rritje në regjistrime për programin e navigacionit, një prioritet kombëtar, por edhe prioritet i universitetit të Durrësit, si dhe një rritje me 15% në programet e Fakultetit të Edukimit.

Në ndryshim nga universitetet e tjera, në UAMD asnjë program studimi nuk rrezikon mbylljen, sepse janë plotësuar minimalisht në 80% të kapacitetit dhe kuotave të regjistrimit.