Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se gjatë vitit 2024, që ishte shpallur zyrtarisht nga qeveria si Viti Kombëtar i Pyjeve, janë mbjellë më shumë se 300 mijë fidanë, ndërsa janë organizuar aktivitete sensibilizuese dhe edukuese, për krijimin e një sinergjie për pyjet dhe biodiversitetin.

Ministrja Kumbaro, shprehet në një postim në rrjetet sociale, se “aktivitetet e pyllëzimit vazhdojnë në të gjithë vendin, ndërsa një botim i ri i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, siç është “Manuali për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri”, i vjen në ndihmë bashkive, menaxhuesve të kullotave e pyjeve, pylltarëve e qytetarëve”.

“Pyjet dhe menaxhimi i qëndrueshëm i pasurive pyjore do të vazhdojnë të jenë në fokus të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit edhe përtej Vitit Kombëtar të Pyjeve”, – thekson ministrja Kumbaro.

Viti 2024 është shpallur nga qeveria si Viti i Pyjeve, ndërkohë që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar edhe një kalendar gjithëpërfshirës aktivitetesh, me fokus rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe ruajtjen e tyre.

Pyjet dhe kullotat mbulojnë rreth 65% të territorit të vendit ndaj dhe politikat e qeverisë janë fokusuar në ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e tyre. Me reformën e decentralizimit pyjet dhe kullotat kanë kaluar në administrimin e bashkive.