Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me emërimin e Ina Majkos si zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan “ Ina Majko është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”. 

Rama thotë se e vendosi Majkon në këtë detyrë  pasi spikati në skuadrën e 11 majit, edhe pse nuk ia doli që të siguronte një vend në kuvendin e ri.

“Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.

Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të  shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.

Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, shkruan Rama.