Empoli mori një fitore tepër të rëndësishme në Serie A duke mundur me shifrat 1-0 ekipin e Salernitana në stadiumin “Carlo Castellani”.
Trajneri Aurelio Andreazzoli u shfaq i kënaqur për paraqitjen e ekipit në tërësi, ndërsa u ndal te dy shqiptarët Etrit Berisha dhe Stiven Shpendi.
Portieri i kombëtares është kthyer titullar i padiskutueshëm, ndërsa sulmuesi i Shpresave luajti për herë të dytë nga minuta e parë.
Shpendi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 58’, por goli u anulua për pozicion të parregullt të 20-vjeçarit.
“Shpendi ka talent, kjo duket, por është ende pak i papjekur për Serie A. Lëviz mirë në fushë, por jo gjithmonë i përballon përplasjet me kundërshtarët, të cilët përfitojnë edhe nga eksperienca e tyre. Gjithsesi, sulmuesi i ri përpiqet deri në fund të shënojë, ia del, por goli nuk vlen. Një paraqitje padyshim pozitive për Shpendin”, shkruan Eurosport në vlerësimin për sulmuesin.
Sa i përket Berishës: “Ndeshje në të cilën nuk detyrohet të bëjë ndërhyrje domethënëse. Nuk gabon kur thirret në detyrë. Në fund e shpëton shtylla”.