Ka nisur faza e dytë në Superligën e volejbollit për meshkuj. Teuta Ndeshja e parë ishte në pallatin e sportit “Ramazan Njala” ndërmjet Teutës dhe Skënderbeut. Ndonëse në letër parashikohej një sfidë e ekuilibruar mes dy skuadrave të përforcuara ndjeshëm në merkato gjatë këtij sezoni, parketi foli tërësisht për korçarët. Skënderbeu u shfaq dominues në transfertë, duke fituar me rezultatin e pastër 0-3 në një përballje që zgjati 75 minuta. Skuadra e drejtuar nga Arben Prifti i vendosi menjëherë distancat, për ta fituar setin e parë bindshëm në shifrat 19-25. I ngjashëm ishte edhe seti i dytë, me miqtë që dikuan në lojë, duke e marrë me rezultatin 18-25, për të thelluar në 0-2.

Teuta ishte e pafuqishme për të reaguar edhe në setin e tretë, me Skënderbeun që fitoi 17-25, duke hipotekuar edhe 3 pikët e para në kampionat për vitin 2025. Amrikani Tanner Woods me 15 pikë dhe Emanuel Driza me 11 udhëhoqën ofensivën korçare në Durrës. Për Teutën në dopio pikësh mbërritën braziliani Jorge Augusto Delfino De Paula, autori i 12 pikëve si dhe Renaldo Bushpepa me 10 pikë. Me këtë fitore Skënderbeu ruan pozitat në vendin e dytë, ndërsa Teuta mbetet në vendin e pestë.