Një ngjarje e rëndë ka tronditur Poloninë, ku një karikaturist rus në mërgim është ekzekutuar me armë zjarri në mes të rrugës.

Autoritetet polake kanë arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në vrasje, ndërsa rasti po hetohet si një akt i mundshëm me motive politike.

Kryeministri polak Donald Tusk bëri të ditur se i dyshuari përdorte një pasaportë gjeorgjiane, ndërsa shërbimet e sigurisë janë duke punuar për të identifikuar personin që mund të ketë porositur krimin.

Viktima është 44-vjeçari Robert Kuzhovkov, i njohur me pseudonimin Semyon Skrepetsky, i cili ishte bërë i famshëm për karikaturat e tij satirike ndaj figurave të rëndësishme politike ruse, përfshirë edhe presidentin Vladimir Putin.

Sipas raportimeve, ai u qëllua tri herë me armë zjarri në rrugë. Pasi ra në tokë, autori iu afrua dhe e qëlloi edhe dy herë nga afër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Të mërkurën, kryeministri Tusk deklaroi se të gjitha indiciet çojnë drejt një “vrasjeje politike”, duke shtuar se nëse rezulton se është porositur nga Rusia, atëherë bëhet fjalë për një çështje shumë serioze me përmasa ndërkombëtare.

Karikaturisti ishte vendosur në Poloni në vitin 2021, pasi kishte shprehur frikë nga përndjekja politike në Rusi. Edhe në mërgim ai kishte vijuar aktivitetin e tij kritik, duke marrë pjesë në aktivitete të opozitës ruse, por edhe duke e kritikuar atë hapur.

Përveç kritikave ndaj Kremlinit, ai kishte shënjestruar edhe qeverinë ukrainase në rrjetet sociale. Pas këtyre qëndrimeve, një faqe kontroverse ukrainase publikoi adresën e tij personale, duke rritur shqetësimet për sigurinë e tij.

Ngjarja rikthen në vëmendje rastet e mëparshme të sulmeve ndaj kundërshtarëve të pushtetit rus jashtë vendit, përfshirë helmimet e bujshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, Moska ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sulme të tilla.