Prizreni tronditet nga një ngjarje e rëndë, pasi A. K, pas një zënke në lokalet e Qendrës Tregtare të Ben-Af-it, godet për vdekje, me pistoletë të tipit TT, mikun e shtëpisë, F. Nuhija nga fshati Gjonaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, ndërsa sipas hetimeve të para të policisë, dy palët janë nxjerrë nga lokalet nga sigurimi i objektit, ndërsa vrasja ka ndodhur në parkingun e kësaj qendre tregtare, ku ka pasur një numër të madh edhe të kalimtarëve, në mes tyre edhe gra e fëmijë.

Sipas policisë, bllokimi i pistoletës ka qenë fat që kjo ngjarje të përfundojë vetëm me një viktimë, pasi dorasi i hutuar në ato momente ka dalë nga kontrolli dhe ka mundur të ketë edhe viktime të tjera.

“Në këtë ngjarje ishin të implikuar shtatë persona të cilët janë shoqëruar për në stacionin policorë, prej tyre katër janë në cilësinë e të dyshuarve”, bën të ditur nënkolonel Lumni Graishta.

“Rajoni i Prizrenit e ka përmbyllur vitin 2012 me një numër të madh të vrasjeve me armë zjarri”, thotë kryeprokurori i Qarkut, Sylë Hoxha. Sipas tij, për këtë duhet një punë më e madhe si nga policia ashtu edhe nga organet e tjera të drejtësisë.