“We the people” ekspozita udhëtuese me portrete njerëzore në promovim të vlerave dhe mundësive të njerëzve të zakonshëm…
“We the people” është ekspozita me 333 njerëz të zakoshëm, portretet e së cilëve ekspozohen në qytete të ndryshme të vendit në kuadër të javës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Pas sheshit “Skënderbej” në Tiranë, eskpozita vijoi rrugëtimin të premten në Durrës, duke përcjellë mesazhet sensibilizuese për rolin që mund të luajnë në shoqëri dhe familje njerëz të zakonshëm që janë larg shembujve të njerëzve publik.
Portretet me përmasa gjigande të 333 njerëzve të zakonshëm janë vepër e artistit të ri David Cuka. Koleksioni i plotë përmban 999 portrete shqiptarësh, me të cilat ai dokumenton imazhe, gjendje e veprime të jetës së përditshme të qytetarëve, të rinjve e pjesëtarëve nga bashkësi të çdo kategorie, të cilët popullojnë e përbëjnë shoqërinë tonë të shekullit XXI. Në fakt, janë portretet dhe imazhet e gjithësecilit nga ne, nga e përditshmja jonë, së bashku me emocionet spontante që mund të kenë reflektuar personat në momentin që janë fotografuar. Përgjatë javës së Kombeve të Bashkuara është menduar që të dëshmohet sa më mirë afërsia e kësaj organizate globale, duke gjallëruar edhe jetën artistiko-kulturore të Durrësit.
Në Durrës, “We the people” vjen me aktivitete dhe stendat e ngritura në formën e një panairi për të promovuar paqen, sigurinë, të drejtat e njeriut, zhvillimin duke mbrojtur mjedisin, trashëgiminë kulturore etj.
Delegacioni i përfaqësuesve të prezencës së OKB në Shqipëri, kryesuar nga Fiona McCluney, koordinatore e përhershme e OKB, u bë pjesë e aktiviteteve të organizuara të cilave iu bashkua edhe Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Përfaqësuesja e OKB, McCluney u shpreh mbi rëndësinë që kanë aktivitetet e tilla dhe për shtrirjen e tyre në çdo qytet të Shqipërisë.
Së bashku me një grup nxënësish, përfaqësuesja e OKB-së McCluney zhvilloi një vizitë në Torrën Veneciane, një nga simbolet e Durrësit, që jo vetëm do të restaurohet përmes programit “EU4Culture”, por edhe do të kthehet në pikë informacioni turistik.
“Është kënaqësi t’ju shikoj të gjithëve juve këtu. Besoj se keni udhëtuar gjatë sot. Uroj ta gëzoni sa më shumë ditën sot. Do të vizitojmë kullën Veneciane dhe do të mësoni më tepër për historinë dhe punën e bërë. Në sheshin pranë bashkisë kemi vendosur stendat e UN për t’u informuar më shumë. Kemi koncerte dhe këngëtarët do të performojnë në të gjithë vendet ku kemi qenë”, u shpreh McCluney.
Së bashku me të rinjtë ato u informuan në lidhje me ndërhyrjet që janë bërë në këtë objekt kulturor nga programi i mbështetur nga UN si dhe për vlerat historike që ajo mbart.
Pjesë e ”Javës së Kombeve të Bashkuara” janë aktivitete të ndryshme sensiblizuese dhe aktivitete kulturore.