Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferaj, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me protestën e 8 janarit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, para selisë blu, kundër Lulzim Bashës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaferaj thotë se protesta e të shtunës ishte e rëndë për çdo demokrat dhe se do të mbahet mend si dita e fundit e një Partie Demokratike të kapur nga hijet dhe dhuna e së shkuarës.

“8 Janari ishte një ditë e rëndë për cdo demokrat i cili udhëhiqet nga dëshira për një Parti Demokratike gjithëpërfshirëse, të fortë dhe përfaqësuese. Dhuna përmbi selinë e PD-së dhe cdo demokrati i shërben interesave të vetëm një personi. 8 Janari do të mbahet mend gjatë si dita e fundit e një Partie Demokratike të kapur nga hijet dhe dhuna e së shkuarës. Në gjenezë, Partia Demokratike lindi për të siguruar të ardhmen perëndimore të Shqiperisë, dhe do të vazhdojë në përmbushjen e misionit të saj.”,– shkruan Xhaferaj në “Facebook”.

Ndërkohë, ajo që ka rënë në sy janë komentet e shumta të demokratëve në postimin e deputetit të PD-së, ku shumica e tyre kritikojnë vendimin e Xhaferajt për mbrojtjen e kryedemokratit Basha.