PRESHEVE – Forcat speciale të xhandarmerisë serbe sot në mëngjes kanë larguar lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, të vendosur në qendër të Preshevës.
Rrugët e qytetit kanë qenë të bllokuara nga një numër shumë i madh i forcave speciale të policisë serbe, raporton Presheva.com.
Xhandarmeria mori me vete edhe përmendoren dhe pastaj u largua nga qendra e Preshevës.
Sipas medieve serbe, sapo ka përfunduar mbledhja e udhëheqjes të dy shoqatave të veteranëve të luftës të UÇPMB-së, ku është vendosur që të propozohet zhvendosja e lapidarit të UÇPMB-së nga sheshi i Preshevës në oborrin e xhamisë, ose të Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti.
Sot në orën 11 në një mbledhje të caktuar me liderët e 6 partive politike të shqiptarëve të Luginës, do të prezantohet ky vendim, transmeton gazeta serbe Blic.
Pritet që pas kësaj mbledhjeje të njoftohet Qeveria e Serbisë dhe nga ajo të kërkohen disa ditë për zbatimin teknik të këtij vendimi.
Lajmin e transmetuar nga mediat serbe, të cilat duke ju referuar burimeve të OVL të UÇPMB-së, kanë folur për një marrëveshje për zhvendosjen e lapidarit tek xhamia apo oborri i shtëpisë së kulturës, e ka hedhur poshtë Jonuz Musliu, lideri i PLD-së dhe ish-drejtor politik i UÇPMB-së, duke i quajtur këto vetëm spekulime.