Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e njohur si “Fllakë e Egër”, në periferi të Durrësit.
Rreth orës 19:30, një 36-vjeçar me inicialet A. G., që po udhëtonte me makinën e tij tip “Lancia” së bashku me dy të mitur, është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar është një 30-vjeçar nga Kavaja, me inicialet K. K., i cili ka përdorur një armë zjarri gjatë një manovre parakalimi, ndërsa lëvizte me një “Ford Focus”. Si pasojë e breshërisë së të shtënave, A. G., mbeti i plagosur dhe u dërgua me urgjencë në spital. Fatmirësisht, dy të miturit që ndodheshin në automjet nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë vijuar veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 30.05.2025, në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë, shtetasi A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.