Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i policisë greke një ditë më parë për goditjen e grupit që merrej me trafik droge dhe grabitje, në krye të të cilit qëndronte 30-vjeçari shqiptar Esmin Ferhati.

Në katër vitet e fundit ata kishin kthyer tre katet e konviktit të vjetër në seli të banditëve me një pagesë prej 100 euro në muaj për çdo dhomë. Ata qarkullonin me makina të shtrenjta dhe shijonin jetën e luksit me paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, kryesisht trafiku i drogës, grabitje dhe rrëmbime.

30-vjeçari u vu në prangat e policisë mëngjesin e djeshëm gjatë operacionit ku mbeti i plagosur një tjetër shqiptar i cili qëlloi me kaçavidë efektiven e policisë.

Sipas mediave greke, Ferhati akuzohet për rrëmbimin e djalit të mitur të një gazetari në maj të vitit 2019 të cilin e kishte fshehur në rezidencat studentore deri sa grupi i tij u fut në shtëpinë e të atit në Pagrati duke kryer grabitje.

Grabitësit e banesave vepronin të ndarë në dy tre grupe të ndryshme dhe dilnin nga zona për të grabitur banka, supermarkete dhe për të tregtuar lëndën narkotike. Studentët kishin kërkuar shpjegim për dhomat e zëna ndërsa drejtuesit ishin përgjigjur se ato nuk ishin funksionale dhe duheshin rinovuar duke tentuar të fshihnin rrjetin e trafikantëve.

Esmin Ferhati njihej me pseudonimin “Esko”. Ai ishte futur në rrugën e aktiviteteve të paligjshme duke ndjekur hapat e xhaxhait të tij të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një personi. Ai kishte tentuar të arratisej disa herë nga burgjet e Nafplionit.

Reklamimi në rrjetet sociale

Një nga gabimet e bëra nga banditët e drejtuar nga shqiptarët ishte se ata postonin foto dhe video nga aktiviteti i tyre në Tik Tok. Përfshirë këtu armë, makina luksoze, ora të shtrenjta dhe shuma të mëdha parash duke provokuar ndjekësit e tyre. Policia greke ka publikuar edhe fotot e një prej anëtareve të bandës e cila pozon me armë zjarri në ambientet e universitetit.