Gjetjet e një varreze që duket se i përket periudhës së mesjetës kanë dalë në dritë gjatë gërmimeve të ekspeditës arkeologjike, të nisur ditët e fundit nga arkeologia Brikena Shkodra. Ekspedita po zhvillohet në lulishten në krah të Postës Shqiptare, tek ish-markata e vjetër e qytetit, një pikë tranzite mes zbulimeve të qytetit bizantin dhe atij romak. Në thellësinë 60 cm, përveç varreve mesjetare kanë nisur të shfaqen edhe shtresat e para të dyshemesë së një ndërtimi, që tani për tani mbetet i panjohur.

“Jemi në qendër të një hapësire që njihet si hapësira më e njohur e gjurmëve të lagjeve të qytetit romak, prandaj pritshmëritë tona janë të mëdha”,– tha Shkodra për “DurrësLajm”.

Sipas arkeologes, fakti që hapësira ku po kryhet gërmimi është e lirë ua lehtëson punën. Gërmimet do të vazhdojnë rreth një muaj, ndërsa më pas zona do të kthehet në gjendjen fillestare, për të rinisur në të njëjtën pikë vitet e ardhshme.  

Kjo është ekspedita e dytë që arkeologia Shkodra po zhvillon në qytetin bregdetar, pasi pak muaj më parë, gërmimet ishin përqendruar tek Forumi Bizantin. Dy vitet e fundit, ekspeditat arkeologjike për zbulimin e gjurmëve të mëtejshme të Dyrrahut antik, janë penguar nga pandemia Covid-19.

M.B.