Shërbimet e mediave sociale Facebook, WhatsApp dhe Instagram kanë rifilluar të funksionojnë pas një ndërprerjeje që zgjati gati gjashtë orë.

Në një mesazh zyrtar, kompania shprehet se kjo ndërprerje ka ardhur si pasojë e një gabimi gjatë konfigurimit.

Të tre shërbimet, të cilat janë në pronësi të Facebook nuk mund të aksesoheshin në internet ose në aplikacionet e smartphone.

Downdetector, i cili gjurmon ndërprerjet dhe problematikat e aplikacioneve, tha se ishte dështimi më i madh që kishte ndodhur ndonjëherë, me thuajse 10.6 milionë raportime për probleme në aksesueshmërinë e rrjeteve në të gjithë botën.

Shërbimet u ndërprenë rreth orës 17:00 me përdoruesit që filluan të përdorin rrjetet sociale rreth orës 22:00.

Në një deklaratë, Facebook tha se ndryshimi i gabuar i konfigurimit ndikoi në mjetet dhe sistemet e brendshme të kompanisë, të cilat ndërlikuan përpjekjet për të zgjidhur problemin. Ndër të tjera theksoi se nuk kishte “asnjë provë që të dhënat e përdoruesve ishin komprometuar gjatë kohës kur rrjetet sociale nuk punonin”.