Pas publikimit të listës së kandidatëve që garojnë për një mandat si këshilltarë bashkiakë nga radhët e PS Durrës, ajo që binte në sy ishte mungesa e të gjithë drejtorëve aktualë të disa prej institucioneve më të rëndësishme në qytet.

Lista e re, që “Durrëslajm” e publikoi një ditë më parë, nuk përmbante emrat e Etleva Budinit, drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare, Pamela Bardhajt, drejtoresha e Spitalit Rajonal Durrës, Jolanda Mustafarajt, drejtoresha e Entit të Banesave, Alban Ramohitajt, drejtor i Qendrës Muzeore, Agim Karaj, drejtor i Qendrës së Formimit Profesional, Indrit Cerlojt, drejtor i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Ezmeralda Xheraj, drejtoreshë e gjimnazit “Naim Frashëri”.

Jashtë listës së kandidatëve për këshilltarë ka mbetur edhe Zamira Mustafaraj, e cila për 4 vite ka mbajtur postin e zv/kryetares së Këshillit, por dhe Afrim Bakaj, ish-drejtor në disa institucione të Durrësit dhe figurë e njohur brenda PS-së lokale.

Nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve për këshilltarë as drejtorë/e aktuale që nuk kanë qenë asnjëherë më parë pjesë e Këshillit Bashkiak.

Direktiva për të lënë jashtë listave drejtorët aktualë mësohet se është dhënë nga vetë kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS.

Duket se me këtë lëvizje Rama kërkon të rifreskojë këshillat bashkiakë në mbarë vendin, duke larguar prej tyre anëtarë që e kanë mbajtur këtë post për disa mandate. I vetmi “i shpëtuar” në këtë rast është kreu i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, që e mban postin e këshilltarit bashkiak prej disa mandatesh tashmë. Njëkohësisht prej 10 vitesh tashmë ai mban postin e kreut të Këshillit të Qarkut (i zgjedhur me votë më 8 nëntor 2013).

Njëkohësisht, kreu i ekzekutivit duket se nuk do të rrezikojë me “mëkatet” që një pjesë e drejtorëve kanë bërë gjatë qëndrimit të tyre në post, çka mund të përkthehet në më pak vota për partinë e tij.

Duke kandiduar për këshillin bashkiak emra që nuk kanë mbajtur poste publike në gjithë këto vite qeverisje të PS-së, por janë më të njohur mes strukturave partiake dhe komuniteteve ku jetojnë, Rama tenton të maksimalizojë votën e socialistëve të thjeshtë dhe votuesve neutralë.

Në Durrës, në zgjedhjet lokale të 14 majit do të përballen Emiriana Sako, kryetare aktuale e bashkisë dhe Igli Cara, ish-deputet dhe ish-kryetar i PD-së lokale.

Prej 23 vitesh, PS ka qeverisur qytetin bregdetar, ku kryetari më afatgjatë në post ka qenë Vangjush Dako me 3 mandate.

M.B.