Fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit është në prag dhe kandidatët në garë për bashkinë e Durrësit kanë nisur tashmë takimet e para me elektoratin, grupet e interesit, figura të njohura të jetës publike në qytetin bregdetar etj.

Në hapësirën që “DurrësLajm” u ka rezervuar 3 kandidatëve në garë, qytetarët do të njihen më gjerësisht me pikat kryesore të programit elektoral, premtimet që secili do të përmbushë nëse elektorati do ta votojë si kryebashkiak të ardhshëm të Durrësit, por edhe aspekte të panjohura nga jeta familjare, angazhimi qytetar dhe politik etj.

Luan Hoti është kandidati i Partisë Demokratike dhe prej disa ditësh ka nisur takimet me zgjedhësit për t’i njohur nga afër me programin e tij dhe për t’u kërkuar votën, që së bashku të bëjnë ndryshimin.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Hoti thekson se është pritur mirë nga qytetarët, megjithëse situata aktuale që po kalon PD nuk është aspak e mirë. Sipas Hotit, ai është i vetmi kandidat i PD dhe sfidën e ka me keqqeverisjen e qytetit nga ana e PS për më shumë se dy dekada.

“Patjetër që kjo është një periudhë e vështirë, por nga vështirësitë lindin ndryshimet më të mëdha dhe personalitetet më të forta. Thënë kjo, më duhet t’ju saktësoj, nga rradhët e PD ka vetëm një kandidat. Zgjedhja e elektoratit do të jetë ndërmjet mënyrës se si është keqadministruar qyteti në këto 20 vjet dhe programit tonë,”- deklaroi ai.

Ndërsa ndër pikat kryesore të programit të tij elektoral mbeten konsultimi me qytetarët për mënyrën se si do të administrohet qyteti, pastrimi i Durrësit dhe periferisë, por edhe zgjidhje konkrete për trafikun e rënduar në rrugët kryesore.

Prej disa ditësh keni nisur takimet me qytetarët, besoj se janë ditë goxha intensive. Si ju kanë pritur, cila ka qenë feed-back-u që keni marrë?

Në të gjitha takimet me qytetarët, pritja ka qenë e ngrohtë. Ndjehet kudo nevoja për ndryshim dhe nevoja që qytetarët të marrin vëmendjen e merituar që jeta e përditshme të bëhet më e thjeshtë, më e mirë dhe që i gjithë qyteti të bëhet më i jetueshëm.

Jeni përfshirë në garën elektorale në një nga periudhat më të vështira për PD. Sa mund ta dëmtojë garën tuaj, fakti që elektorati duhet të zgjedhë mes dy kandidatëve që vijnë nga radhët e PD?

Patjetër që kjo është një periudhë e vështirë, por nga vështirësitë lindin ndryshimet më të mëdha dhe personalitetet më të forta. Thënë kjo, më duhet t’ju saktësoj, nga rradhët e PD ka vetëm një kandidat. Zgjedhja e elektoratit do të jetë ndërmjet mënyrës se si është keqadministruar qyteti në këto 20 vjet dhe programit tonë.

Në takimet me qytetarët keni evidentuar disa nga problematikat më të mprehta të tyre, të cilat kërkojnë zgjidhje imediate. Cilat janë ato?

Së pari, kthimi i banorëve në qendër të vëmendjes dhe konsultimi me ta në vazhdimësi për mënyrën se si do të administrohet qyteti.

Së dyti, papastërtia dhe plehrat, problem të cilit do t’i japim zgjidhje në 100 ditët e para.

Së treti, situata e trafikut të rënduar në qytet, të cilin gjithashtu e zgjidhim brenda 100 ditëve të para.

Përmenda vetëm këto, sepse ju më kërkuat zgjidhjet me emergjente duke mos lënë pas asnjë pikë tjetër të programit tim.

Duket se një nga sfidat kryesore nëse do të zgjidheni kryebashkiak do të jetë pastrimi i qytetit. Keni një strategji të caktuar sesi do ta realizoni, duke qenë se Durrësi dy vitet e fundit ka vuajtur menaxhimin e mbetjeve?

Së pari, do të dyfishojmë oraret në të cilat bëhet pastrimi i qytetit. Së bashku me dyfishimin e punës, do të dyfishohet edhe kontrolli i vazhdueshëm në terren.

Së dyti, do të menaxhojmë më mirë burimet njerezore dhe infrastrukturën. Punonjësit në terren do të angazhohen më shumë gjatë ditës dhe jo vetëm natën me qëllim pastrimin e vazhdueshëm të qytetit dhe do t’i japim mundësi qytetarëve që të paraqesin në kohë reale kërkesat apo ankesat e tyre lidhur me pastrimin.

Një nga pikat kryesore të programit tuaj ishte konsultimi qytetar për Velierën, një vepër e mbetur ende e papërfunduar. Ajo që më tërhoqi vëmendjen në një video që ju kishit postuar nga qyteti i Durrësit, të shoqëruar me këngën e Qemal Kërtushës ishte se Veliera nuk shfaqej fare. Madje Durrësi dukej shumë i bukur në ato pamje. Nëse Durrësi që shfaqnit ju është kaq i bukur, pse flisni për keqqeverisje 22-vjeçare nga PS?

Bukurinë e këtij qyteti nuk ia ka dhënë asnjë qeverisje, por qeverisja aktuale ia ka marrë. Ndër domethëniet e postimit të kësaj video ka qenë edhe kjo, dëshira për t’i kthyer identitetin këtij qyteti dhe plani që ne kemi për ta kthyer këtë dëshirë në realitet të plotë.

Në prezantimin e programit elektoral ju shoqëroheshit nga familja juaj, madje vajza juaj, Stela, mbajti edhe një fjalë rasti. Si e kanë pritur ata kandidimin tuaj? 

Familja ime është ndër mbështetjet e mia më të mëdha e për rrjedhojë si çdo sipërmarrje tjetër, edhe vendimin për të kandiduar për Bashkinë e Durrësit e kanë mirëpritur menjëherë. Fëmijët e mi kanë lindur e janë rritur në këtë qytet dhe mezi presin që Durrësi të marrë sërish frymë.

Sa e lehtë mund të jetë arritja e objektivave tuaj duke marrë parasysh faktin se keni një këshill bashkiak kundër, një administratë që qëndron aty prej vitesh, por dhe një buxhet i cili është miratuar tashmë sesi do të shpenzohet?

Përgjigja e shkurtër është se nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, nuk mendoj se do të ketë asnjë Këshill Bashkiak apo buxhet të miratuar që ndalon rikthimin tim të vëmendjes ndaj çdo banori të këtij qyteti.

Sa i përket administratës, kam bindjen e plotë se administrata aktuale mund të jetë shumë eficente nëse nuk do të jetë më e keqpërdorur për interesa personale sikurse është bërë këto 20 vite në Bashkinë e Durrësit.