Një ngjarje dramatike është regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr. 15 në Spitallë pas restorant “Lenia”, ku një vajzë 3-vjeçare ka rrezikuar jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një shtëpi tre katëshe ku ndodhej e vetme.

Zjarri ka shpërthyer në kuzhinën e katit të parë të banesës dhe është përhapur me shpejtësi në dhomat e tjera. E mitura ndodhej në katin e tretë të godinës, ndërkohë që prindërit nuk ishin të pranishëm në banesë.

Siç duket dhe në pamjet e siguruara nga operatori Denis Simaku, pas njoftimit forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje.

Në një akt guximi, efektivi 21-vjeçar i policisë Fabio Marku, ka hyrë në banesën e përfshirë nga tymi dhe ka arritur të shpëtojë vajzën e mitur, e cila rrezikonte të asfiksohej.

Falë ndërhyrjes së tij të shpejtë, vogëlushja është nxjerrë e sigurt nga ambientet e banesës dhe i është dorëzuar prindërve. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll flakët dhe aktualisht po hetohen shkaqet e rënies së zjarrit.