Një zjarr ka rënë mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:30, në katin e nëntë të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një apartament në pronësi të shtetasit me iniciale E. Sh. Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit dhe vënien e situatës nën kontroll.
Si pasojë e tymit, gjashtë persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje. Sipas të dhënave paraprake, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit.





