Një zjarr ka rënë në katin e katërt të një pallati në lagjen nr 7 të qytetit. Zjarri ka rënë në katin e katërt të një pallati në zonën që njihet si Çezma e Ferrës.

Nga të dhënat që disponon DurrësLajm, zjarri ka rënë në banesën e një gruaje të moshuar, e cila jeton e vetme. Për shkak të përhapjes së zjarrit në banesën e saj, tymi ka dalë edhe në mjediset e përbashkëta të pallatit. Katër banorë të pallatit, së bashku me të moshurën në banesën e së cilës ra zjarri, janë dërguar në spital me ambulancë.

Efektivët e shërbimit zjarrfikës të qytetit kanë ardhur shpejt duke shuar flakët në katin e katërt. Policia në bashkëpunim me PMNZSH po kryejnë hetime për shkaqet e zjarrit. Nga të dhënat e para mësohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, pasi një pajisje ka bërë masë.