Nga BUJAR QESJA

Nuk mund të këmbëngul, por falë shkallës së njohjes dhe bubrrimeve të mia, jam gati drejt formulimit të plotë. Është jo vetëm bindje, por me siguri edhe realitet. Në Durrës siguria ime është gati e plotë 100 përqind, por m’a do mëndje edhe në raport kombëtar. Çfar po them? Që Zyhdi Mara, është notari më i moshuar i gjallë. Absolutisht që jam dakort të ma kundërshtoni.

Cili e njeh, nuk mund t’ia ndajë portretin nga mjeti i vetëm lëvizës, që është biçikleta. Nuk mund të thuash i dobët, se sa me fizik të fortë dhe me muskujt të lidhur. Mushkëritë, depozita oksigjenmnbajtëse e tij, kanë potencë aq sa t’i mundësojnë këtij të regjuri të notit, të lëvizë lirshëm deri në befasi. Po qe se nuk e pyetja, s’besoja plotësisht për moshën që ka. Por që është nga më të moçmit notarë të Durrësit, kërkush nuk mund të ma ngacmoj bindjen.

-Ndalu pak o Zyhdi, të të jap dorën! Gëzuar 2023, e qofsh i fortë si tani!
-Të falenderoj! Të mira edhe për ty ky vit!
-Të ndala edhe për një arsyje tjetër. Është edhe statistikë, pra edhe kuriozitet. Sa shkallë përbëhet lartësia e juaj e jetës?
Më shikon pak me habi dhe i jep ndriçim fytyrës. Zbret nga biçikleta dhe me komunikim prej të urtësh, cilësi kjo e qytetarisë së hershme durrsake, më përgjigjet:
-Jam i datëlindjes 1929. Hesapet bëji vetë. Jam rritur me notin dhe Zoti po kujdeset që ende të mbetem pjesë e gjallë e tij.

Shoqata Kombëtare e Notit Shqiptar, është krijuar në Durrës në vitin 1929 dhe pa dashur të konkuroj staticienët, është edhe viti i Kampionatit të Parë Kombëtar të Notit. Pra ky Zyhdi Marë, në moshën 94 vjeçare, është vetë biografia kohore e notit. Sa mrekulli! Shëtit i qetë në rrugët e Durrësit, pa menduar se dikush do ta ndalte një ditë, për ti thënë :
Ej Zyhdi, mosha e juaj është mosha e notit durrsak dhe jo vetëm!

Mos prit që ai ta thotë këtë. Mbase edhe nuk i shkon mëndja si shumëkujt. Por ja që e kërkoja dhe e kërkoja që të ndeshesha një ditë si sot. E përshendes rrallë, pasi ashtu më çfaqet. Intuita profesionale ma shkundi mëndjen, për t’i gjëmuar një ditë dhe për ta fiksuar në foto. Për të thënë thjesht që ky është Zyhdi Mara, notari më i moshuar me frymëmarje.

Oh sa i thjeshtë! Oh sa modest ky Zyhdi Mara i jonë! Ku mund të jetonte, veçse në të famshmen lagje të Durrësit Sefer Efeniu. Është lagje që po e mohove, sporti durrsak mbetet pa histori, pa biografi. Do të përmënd disa emra, për të më dhënë të drejtë. Filloj! Panajot Pano, Fatos Muço, Mirban Kadiu, Rruf Kazazi, Abdulla Duma, Bernardina Qerraxhia, Bon Kadiu, Shazivar Gruda, Ibrahim Kurtbegovi, Burhan Truma, vëllezërit e njohur Kapexhiu Shaqiri, Sabriu, Syrjai, Arben Rrogozhina, Rifat Murati, Agron Kollaku, Jani Kurti, Shyqyri Gjepali, e lista nuk ndalet këtu.

Dhe ky Zyhdi Mara edhe shtëpinë e ka mbi këtë lagje kodër, duke dashur ende të vështroj lart ato yje që mbajtën të gjallë dhe bënë historinë e sporteve. Në mesin e viteve 60-të e ndërpret notin, duke qenë edhe këtu me stazh të gjatë notimi. Mbase nuk është lulja e notit, por një degë sado e vogël e rrënjëve të tij po. Marat janë shumë të njohur në Durrës. Qytetarë ekselencë, më përqindje shumë të madhe kulturë dhe edukatë, fisnikëri dhe tolerancë njerëzore.

Zyhdi Mara nuk e përjashton këtë rregull. Sa herë që e ndal, brenda pak minutash më flet për shokët e hershëm të notit, duke mos harruar asnjërin. Kënaqësi e madhe, për të mos thënë privilegj, kur e dëgjoj teksa kujton asët dhe shkëlqimtarët e notit Taq Dafa, Niko Korani, Kastriot Karamuço, Shaqir Kapexhiu, Sul Tufa, Bon Kadiu, Eqerem Korra, Koço Afezolli, Hilmi Kapllanin, Pip Urumin, Dhimitraq Gogën, Kristaq Bekridhelin dhe vajzat e tij, Xhevdet Mitrakun, Bashkim Dakolin,Hysen Haxhinë, Agron Ismailatin, Petrit Gumën, Artan Zhupën, Fatmir Kërçikun, Met Kikrrin, Beni Qerraxhinë, Eglantina Golemin dhe nuk mbaronte me kaq.

Ka mall për ta ky Zyhdi Marë dhe m’i kujton të gjithë, a thua se do të isha në gjëndje ta korrigjoja saktësinë e tij. Foto që bëra me Zyhdin, në këtë të hënë të 9 janarit 2023, ka vlerë njerëzore, por edhe historike për notin. Dola me njerin e ujit, me notarin pikë referuese, që noti mbetet ende me frymë nga protogonistët e tij.
Dhe ky fat i takon 94 vjeçarit Zyhdi Mara. Dhe kur të mbushësh 100 vite jetë Zyhdi, jam i sigurtë që do të jesh primo i mediave. Por deri atëher optimizmin mos ta shuajmë, pra ta mbajmë gjallë.

Durrës: 9 janar 2023
Në pamje, me notarin 94 vjeçar Zyhdi Mara (djathtas), 9 janar 2023.