Premtimet për “Kartën e studentit” duket se do të bëhen realitet së shpejti. 10 mijë studentë të UAMD-së do të pajisen me kartë studenti, e cila u mundëson përfitimin me kosto me të ulët të disa shërbimeve që ofrohen nga institucione shtetërore apo subjekte private.
Bashkia Durrës ka shpallur firmën fituese (Çelësi shpk -PC store) të tenderit “Platformë dixhitale për produktin “Karta e studentit” dhe brenda pak ditësh pritet të firmoset kontrata, e cila do t’i hapë rrugën nisjes së procedurave për prodhimin e kartës.
Procesi i pajisjes së 10 mijë studentëve me “Kartë studenti” do t’i kushtojë bashkisë 4.166.667 lekë. “DurrësLajm” mëson se procedura e printimit të kartave do të kryhet pranë 5 fakulteteve të UAMD-së dhe në të do të angazhohen studentë të këtij universiteti, të cilët do të trajnohen fillimisht nga firma fituese e tenderit. UAMD ka rreth 17 mijë studentê dhe ende nuk është e qartë sesi do të bëhet përzgjedhja për 10 mijë studentët që do të përfitojnë kartën gjatë fazës së parë të projektit.
Pas pajisjes me kartë dhe identifikimit të tyre në sistem, studentëve u ofrohet mundësia e marrjes së shërbimeve, avantazheve dhe përfitimeve nga një rrjet i gjerë biznesesh nga sektori publik e privat. Detaje më të hollësishme nga nisja e procesit të prodhimit të kartave dhe përfitimet që studentët do të kenë nga marrja e saj pritet të zbardhen në muajt në vijim.
Megjithëse UAMD ka hapur dyert në vitin akademik 2006-2007 dhe çdo vit diplomohen mijëra studentë në ciklin e studimeve Bachelor dhe Master, studentët e tij nuk kanë mundur të përfitojnë asnjëherë nga avantazhet e “Kartës së studentit”, pasi premtimet për të kanë mbetur prej vitesh në letër.
M.B.