Për shumë çifte, 14 shkurti nuk është vetëm një ditë në kalendar.

Shën Valentini përherë e më shumë po përqafohet si “një festë mbi dashurinë”. Teksa një pjesë mjaftohen me lule e dhurata apo një darkë në restorant, të tjera çifte zgjedhin t’u largohen syve të të tjerëve.

Këtu alternativat janë më të kufizuara: udhëtim jashtë ose qëndrim në hotele me pishina dimërore apo shtëpi me qira ditore që po bëhen përherë e më shumë të parapëlqyera.

“Ndoshta lidhet me faktin që festa e Shën Valentinit është më intime, për sa kohë është festa e të dashuruarve.

Me thënë të drejtën, vihet re një rritje e konsiderueshme e prenotimeve të hoteleve dhe apartamenteve me qira ditore”, thotë Frenkli Prengaj, që përfaqëson një agjenci apartamentesh me qira.

“Bumi” i kërkesave ka bërë që për këtë Shën Valentin të zihen thuajse të gjitha dhomat e hoteleve apo apartamentet me qira. Referuar platformave “online” si Booking dhe AirBNB në Lëpushë e Theth apo Rivierën e Jugut me epiqendër Vlorën kapacitetet akomoduese janë ezaururar thuajse tërësisht. Tirana, Durrësi gjithashtu kanë joshur shumë çifte të reja.

“Apartamentet me qira ditore kryesisht merren nga ata që jetojnë në rrethe. Po ashtu ka edhe të huaj”, shton Prengaj.

Për shkak se 14 shkurti nuk është një festë zyrtare, por edhe shtrenjtimit të çmimeve, agjencitë pohojnë se kërkesat për udhëtimeve nuk kanë njohur ndonjë rritje domethënëse.

“Ka një tendencë rritje normalisht, por kryesisht për pushimet në vend. Për udhëtimet jashtë nuk ka thuajse asnjë ndryshim nga ditët normale”, thotë operatori turistik Ferjolt Ozuni.

Megjithatë, nuk kanë munguar as ata që kanë arritur të arratisen jashtë, qoftë edhe për pak ditë.

“E preferuara e madhe ka qenë Parisi. Kërkesa ka pasur gjithashtu edhe për Barcelonën e Madridin në Spanjë, por edhe Milanon e Romën në Itali. Në listë nuk mungon as Stambolli”, shton Ozuni.

Teksa për një pjesë të shqiptarëve Shën Valentini është thjesht një ditë e bezdisshme, shpesh e shtrenjtë, festa aspak tradicionale çdo vit e më shumë po i jep një hov industrisë së udhëtimeve dhe atyre akomoduese.