150 pemë të reja dekorative do të mbillen në ditët në vijim në hapësirën publike tek lagjja.nr17, pranë stacionit të trenit në Durrës.

Muaj më parë kjo lulishte iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë, ndërkohë që mbjellja e pemëve të reja blir, rrap, olendra etj pritet të rrisë edhe më shumë gjelbërimin në këtë zonë.

Qytetarët shprehen të kënaqur me investimin e realizuar.

Por ndërsa në projektin për rikonstruksionin e lulishtes parashikohej shtimi i gjelbërimit, vendosja e stolave si dhe këndeve të lojërave këto thuajse mungojnë. 

“Të vinin ndonjë stol për të pushuar. Të gjitha këto shpenzime që janë bërë si nuk mendojnë për moshën e tretë?”, – thotë një i moshuar.

“Unë jam bërë me shkop, kam nevojë të ulem në një stol. Për gjelbërimin e kanë bërë shumë mirë, sepse na pëlqen që vijmë këtu e ajrosemi”,– shton një qytetare.

“Stolat dhe këndet e lojërave janë të domosdoshme këtu. Kjo lagje është rritur, është shtuar numri i pensionistëve dhe fëmijëve”,- deklaron një banor i zonës.

Për të mbajtur klientelën disa lokale kanë vendosur vetë kënde lojërash pranë subjektit të tyre.

Për rehabilitimin e lulishteve pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe tek lagjja nr.17, bashkia shpenzoi 55.230.394 lekë. Rehabilitimit të këtyre hapësirave publike i parapriu aksioni i ndërmarrë vitin e kaluar nga Policia Bashkiake për prishjen e tendave dhe strukturave shtesë të lokaleve përreth.

M.B.