1515 studentë ulen sot për herë të parë në auditoret e UAMD-së. Sipas rektores Kseanela Sotorofski, deri më tani janë plotësuar 75% e kuotave, ndërsa kjo shifër pritet të ndryshojë në ditët në vazhdim, pasi regjistrimet do të vijojnë deri më 18 tetor.

Mungesa e konvikteve mbetet shqetësim kryesor për një pjesë të konsiderueshme të studentëve të UAMD-së, që vijnë nga rrethet. Por zgjidhja duket e largët. Ndërkohë për Kartën e Studentit duket se do të ketë një dritë jeshile përgjatë këtij viti akademik.

“Ne së bashku me studentët tanë kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për ndërtimin e një konvikti në Kampusin Universitar. Deri tani nuk kemi gjë konkrete përsa i përket ndërtimit të një konvikti. Bashkia Durrës së bashku me universitetin kanë ngritur një grup pune për të përcaktuar elementët që do të përmbajë karta e studnetit dhe mendoj që këtë vit akademik do të hyjë në fuqi”,- tha rektorja Sotirofski.

Programet e studimit më të preferuara këtë vit në UAMD janë Financë- Bankë, Infermieri, mami, Financë – Kontabilitet, Informatikë Ekonomike, Drejtësi, Navigacion dhe menaxhim detar, Cikël i ulët, Arsim parashkollor etj.

Një nga risitë e këtij viti akademik është hapja për herë të parë e programit të studimit Informatikë ekonomike, për të cilin maturantët treguan mjaft interes, duke e renditur ndër degët me numrin më të lartë të regjistrimeve. Ndërsa në ciklin e studimeve Master, degët e reja që futen për këtë vit janë Teknologji Quantum dhe Mbrojtje e mjedisit detar.. Sipas rektores Sotirofski, UAMD është universiteti i parë në Shqipëri që hap programin e studimit Teknologji Quantum, degë kjo mjaft e kërkuar, sepse lidhet me zhvillimet e reja teknologjike, që po ndodhin kudo nëpër botë.  

M.B.