Prej 4 muajsh, 2479 familje në Durrës nuk marrin bonusin e qirasë. Të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, prej 4 vitesh këto familje presin të kthehen në shtëpitë e tyre.

Mos marrja e bonusit ka krijuar problematika të shumta sociale tek këto familje, shqetësim që u ngrit edhe nga këshilltarja e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Edlira Shemsi.

Shemsi kërkoi të dinte nga kryebashkiakja Emiriana Sako se pse nuk u ka kaluar bonusi i qirasë këtyre familjeve dhe kur ato do të marrin këstet e prapambetura.

Në përgjigjen e saj kryetarja e bashkisë tha:

“Presim që paratë të vijnë dhe t’ua kalojmë menjëherë qytetarëve. Në rast se do të marrim përgjigje negative patjetër që do t’i vëmë në dijeni qytetarët, por do të shohim mundësinë e buxhetit tonë për të bërë financimin”,- tha kryebashkiakja.  

M.B.