Në kuadër të tridhjetë vjetorit të udhëtimit të anijes “Vlora” drejt portit të Barit, Itali (8.8.1991), Bashkia Durrës në bashkëpunim me Bashkinë e Barit dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari, kanë planifikuar organizimin e një sërë aktiviteteshnë datat 5-8 gusht 2021, ndër to edhe inagurimi i monumentit publik me emrin “Sono Persone/Janë Njerëz”, ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli.

Emërtimi i veprës merr shkas nga fjalimi i famshëm i Kryetarit të Bashkisë së asaj kohe, z. Enrico Dalfino, i cili hapi jo vetëm dyert e portit, por edhe dyert e qytetit të Barit për mikpritjen dhe integrimin e emigrantëve shqiptarë.

Ceremonia e inagurimit dhe e dhurimit të monumentit, do të zhvillohet në Durrës, me datë 5 gusht 2021, ora 18.00, në Shëtitoren “Taulantia”. Kjo Ceremoni, do të paraprihet nga Konferenca për shtyp e Kryetares së Bashkisë, znj. Emiriana Sako.

Veçantia e këtij monumenti është qasja dy dimensionale e vetë objektit, i cili ka formën e bashit të anijes por njëkohësisht edhe formën e një libri të hapur. Në anët e jashtme të librit do të ketë edhe një tekst dedikues të shkruar në alfabetin “mors’:

“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar.
Nuk mund ti’kthejmë pas,
ne jemi shpresa e tyre e vetme”.

“Sono Persone, persone disperate.
Non possono essere rispedite indietro,
noi siamo la loro unica speranza”.

Ky monument i vendosur në Shëtitoren “Taulantia”, është në simetri me binjaken e vet të instaluar në Lungomaren e Barit. Ndërkohë, që ceremonia e inagurimit të monumentit “Sono Persone/Janë Njerëz”, në Bari, do të zhvillohet më datë 8 gusht 2021.

Vendosja e këtyre monumenteve përballë njëra tjetrës, është simbol i vazhdimësisë së dialogut kulturor dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy qyteteve tona që lagen nga i njëjti det, deti Adriatik.

Për më tepër, simetria e monumenteve në distancë dëshmon jo vetëm kujtesën historike, solidaritetin dhe humanizmin reciprok, por njëkohësisht edhe ndjenjën e miqësisë midis dy popujve tanë.

Sot, për të forcuar akoma më shumë këtë lidhje, me rastin e tridhjetë viteve të udhëtimit të anijes‘Vlora’, përvjetori i përbashkët mes Barit dhe Durrësit festohet përmes ndërtimit dhe dhurimit në qytetin e Durrësit të një monumenti që plotëson binjakun e vet të ndërtuar në Bari në vitin 2019.

Ishte viti 1991 kur Italia zbuloi se ishte një tokë e premtuar për mijëra shqiptarë që mbërritën në portin e Barit nga Durrësi, të grumbulluar në bordin e anijes ‘Vlora’. Popullsia e Barit u tregua shumë e gatshme për të ofruar ndihmën e saj për 20,000 mijë emigrantë shqiptarë. Fjalët e kryetarit të atëhershëm Enrico Dalfino u mirëpritën nga qytetarët, duke gjeneruar një përqafim kolektiv dhe një ndjenjë humanizmi dhe vëllazërie ende në ditët e sotme, akoma më të gjallë se kurrë.

Instalimi i përhershëm i këtij monumenti të ideuar nga Jasmine Pignatelli, si një homazh për figurën e Enrico Dalfino dhe si përqafimin kolektiv ndaj fjalëve të këtij të fundit, i është dhuruar Bashkisë së Durrësit nga APS Cellule Creative dhe nga një grup mbështetësish së bashku me Bashkinë e Barit në shenjë e këtyre vlerave të pandryshuara.

Për më tepër, nga regjisori Francesco Castellani, është përgatitur edhe nje film-dokuementar ‘DA LEVANTE A LEVANTE’, dokumentar ky i cili pasqyron dëshmi, foto, histori njerëzore si edhe disa fragmente gjatë fazës së ndërtimit të dy monumenteve.

“Ata janë njerëz, transmetim radiolegrafik mors”

Një transmetim radiotelegrafik ‘Mors’ i krijuar dhe i redaktuar nga Shoqata e Radio Amatorëve Italianë/A.R.I. Associazione Radioamatori Italiani, Seksioni i Barit,me emrin e veçantë IR7ZA, ideuar si një shfaqje artistike nga Jasmine Pignatelli për të plotësuar kështu të gjithë veprën, nxjerr në pah fuqinë e një miqësie pa kufij.

Transmetimi materializon valën e vazhdueshme, të krijuar nga shkrimi mors mbi sipërfaqen e monumentit, e cili transmetohet nga bregu në breg dhe është e destinuar për të gjithë ata që po dëgjojnë.