Temperaturat e larta të këtyre ditëve të para të korrikut kanë rritur ndjeshëm numrin e qytetarëve dhe pushuesve, që paraqiten në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës për të marrë ndihmën e parë.

Bluzat e bardha ofrojnë shërbim mjekësor tek rreth 300 pacientë në 24 orë, ndërsa presin që këto shifra të jenë edhe më të larta në ditët dhe javët në vijim.

“Pushuesit kanë nisur të vijnë në Urgjencë. Ka pacientë me gastrointerite të shkaktuara nga intoksikimi alimentar që janë shtuar. Shpesh edhe kondicionerët, temperaturat e larta shkaktojnë marrje mendsh. Me ftohje nuk ka shumë pacientë, më shumë ka me viroza dhe gastrointerite”,– thotë për “DurrësLajm”, mjekja e Urgjencës, Ermira Kale.

Për shkak të valës së të nxehtit mbi normalen e muajit, kujdesi që duhet të tregojnë sidomos grupmoshat më në risk, si të sëmurët kronikë, mosha e tretë dhe fëmijët e vegjël duhet të jetë edhe më i shtuar.

Për këtë arsye, bluzat e bardha rekomandojnë ndalimin e daljeve në diell në oraret e pikut, konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe konsumimin e ushqimeve të sigurta.

Krahas komplikacioneve shëndetësore që shkaktohen për shkak të kurbës së termometrit gjithnjë në rritje, aksidentet janë një tjetër shkak për rritjen e numrit të pacientëve në urgjencë. Në harkun e disa javëve në Durrës janë regjistruar disa aksidente fatale por edhe me persona të plagosur dhe të lënduar.

Urgjenca e Spitalit Rajonal po përgatitet që në periudhën në vijim numri i vizitave të arrijë rreth 400 në ditë, për shkak edhe të fluksit të madh të pushuesve, sidomos gjatë korrikut dhe gushtit.

M.B.