Dorëzohen 1000 librat e parë në shkollën e mesme të Tuzit, në Mal të Zi.

Nisma e ndërmarrë nga Rotary Club Durrës dhe Rotaract Club Durrës, në bashkëpunim me Rotary eClub Tirana Cosmopolitan, e që kishte për qëllim pasurimin e bibliotekave të shkollave të mesme në komunat me popullsi shqiptare, u konkretizua me mbledhjen e rreth 3000 librave për shkollat e mesme të Tuzit, Ulqinit dhe Plavës, në Malin e Zi.

Gjatë procesit të dorëzimit të librave në shkollën “25 maj” në Tuz, drejtori i saj Sead Ljuljanaj falenderoi rotarianët e Durrësit për këtë donacion të çmuar.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Malin e Zi, Angjela Jakshiq-Stojanoviq e përshëndeti nismën e rotarianëve durrsakë, të cilës iu bashkuan edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Durrësit.

Në ditët në vijim, 2000 librat e tjerë do t’u dorëzohen bibliotekave të dy shkollave të mesme në qytetin e Ulqinit dhe të Plavës.