Punimet e nisura që në nëntor të vitit 2021, për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Tiranë vazhdojnë me ritme të kënaqshme.

“Hekurudha shqiptare” duke iu përgjigjur interesimit të “DurrësLajm” për vijimësinë e punimeve sqaron se deri më tani është realizuar 42.21% e tyre.

“Punimet janë përqëndruar kryesisht në rehabiltimin e linjës kryesore hekurudhore “Durrës- Tiranë””,- bëjnë të ditur burime zyrtare.

Problematika kryesore që shkaktoi shtyrjen me 6 muaj të përfundimit të veprës infrastrukturore ishte ndërtimi i plotë i 8 urave, që nuk ishin parashikuar në projektin fillestar.

Fillimisht ishte parashikuar vetëm rehabilitimi i tyre, por dëmet që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019, lindi domosdoshmërinë për rindërtimin e tyre nga e para.  

Krahas punimeve që vijojnë paralelisht në disa kantiere të projektit, drejtoria e Hekurudhës po punon dhe për elektrifikimin e linjës dhe ndërtimin e godinave të stacioneve hekurudhore”.

Në një inspektim që zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku bëri në kantier në fund të muajit prill theksoi se “kjo hekurudhë është shumë e rëndësishme sepse lidh Tiranën me Durrësin, por jo vetëm me qytetin e Durrësit aty ku do të ndërtohet ballina ujore më e rëndësishme e Ballkanit dhe Porti i Jahteve, por do të lidhë edhe Tiranën me portin e ri të Durrësit të ndërtuar në Porto Romano, përmes nyjes së Sukthit.

Projekti është parashikuar të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm. Finalizimi i tij pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun mes Durrësit dhe Tiranës, pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që udhëtojnë drejt kryeqytetit apo Rinasit me automjetet e tyre private do të përdorin linjën hekurudhore për të mbërritur në destinacion.

Rivënia në funksion e kësaj linje do të bëjë të mundur frekuentimin e trenit nga ana e qytetarëve, një mjet transporti ky mjaft i përdorur në Shqipëri deri në vitet 2000 për transportin e udhëtarëve.

Pas degradimit të rrjetit hekurudhor dhe kushteve që ofronte udhëtimi me tren, qytetarët përdornin mjete të tjera transporti, ndërsa “Hekurudha shqiptare” shkoi drejt falimentimit.

Por a është përllogaritur deri më tani tarifa e biletës së udhëtimit?

Sipas “Hekurudha shqiptare”, “nuk jemi në fazën për të përllogaritur çmimin e biletës së udhëtimit të pasagjerëve”.

“Treni elektrik do të ketë shpejtësi 120 km/h nga Durrësi deri në stacionin e Kthesës së Kamzës, ndërkohë që nga kjo pikë deri në Tiranë do të variojë nga 50-80 km/h; pra do të jetë me një shpejtësi të moderuar, duke qenë se do të futet brenda në qytet”,- tha një muaj më parë Balluku.

Sipas projektit, distanca Durrës – Tiranë do të përshkohet për 22 minuta, ndërsa në aeroport mund të mbërrihet për 12 minuta.

Projekti synon të zhvillojë transportin hekurudhor ndërmjet Durrësit dhe Tiranës, duke përmirësuar infrastrukturën dhe operacionet hekurudhore, duke garantuar sigurinë e lëvizjes, si dhe duke ndërtuar një lidhje të re hekurudhore me aeroportin e Rinasit që është dhe i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit.

M.B.