Nderim dhe mirënjohje për dëshmorët e atdheut këtë 5 maj. Autoritetet vendore dhe qendrore në Durrës dhe Shoqata e Veteranëve kanë kryer homazhet në Mauzoleumin e Dëshmorëve për të nderuar të rënët për atdhe, që me gjestin e tyre heroik kontribuuan për një Shqipëri të lirë.

Drejtori i arsim-kulturës në bashki, Ardian Gurra në fjalën e tij të rastit tha se dhe në ditët tona neofashizmi, neonazizmi etj mbeten rrezik për njerëzimin.

“Bota e sotme nuk pret që pasardhësit e së keqes të vetëshpallen publikisht si dikur nazistë, fashistë, antisemitë. Furitë e neofashizmit, neoracizmit dhe neonazizmit janë gjithnjë një kërcënim për njerëzimin.

Siç edhe po e konstatojmë tanimë, epoka e pushtimeve nuk është mbyllur, madje mund të shohim se ata veprojnë hipokrizisht në emër të antifashizmit, pikërisht sepse e dinë cila është simpatia e popujve për të, por me të njëjtën urrejtje raciale, etnike, fetare e kulturore si dikur”,- tha Gurra.

Të pranishmit në ceremoninë solemne parakaluan përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit duke vendosur kurora me lule.