Nga data 30 gusht, në të gjitha sekretaritë mësimore të 5 fakulteteve të UAMD-së kanë nisur regjistrimet e kandidatëve fitues tw Raundit e 1 për vitin e ri akademik 2024-2025.

Sot ka filluar faza e katërt 48-orëshe e regjistrimeve, pasi i gjithë procesi i regjistrimit në raundin e parë zhvillohet në 7 faza 48-orëshe.

Por cilat kanë qenë degët më të preferuara nga studentët e rinj që do të bëhen pjesë e UAMD-së?

“DurrësLajm” mëson se përgjatë 3 fazave të para, degët me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar janë Infermieri e përgjithshme, Financë-Kontabilitet, Shkenca Kompjuterike, Drejtësi, Teknologji Informacioni, Edukim për moshën 0-3 vjeç dhe Teknologji automobilash.

Dega e infermierisë mbetet ende ndër më të preferuarat, nisur edhe nga nevojat e tregut të huaj për infermierë. Ndërkohë degët e preferuara tradicionalisht si financa apo juridiku vijon të mbeten në toplistën e programeve të studimit, që ndiqen në masë të madhe nga studentët.

Zhvillimi i teknologjisë gjatë viteve  të fundit orienton shumë studentë të rinj drejt Teknologjisë së Informacionit apo Shkencave Kompjuterike, pasi janë ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punës.

Toplista e degëve më të preferuara në UAMD mund të ndryshojë, pasi fazat e regjistrimeve vijojnë edhe javën e ardhshme.   

Procesi i regjistrimit në UAMD bëhet çdo ditë nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në orën 16:00, pranë godinës në Currila dhe Kampusit Universitar në Spitallë.

M.B.