Kina ka njoftuar rënie të rasteve të reja të personave të diagnostikuar me koronavirus për të tretën ditë radhazi. Të dielën, autoritetet raportuan 2.009 raste të reja dhe 142 viktima në të gjithë vendin.

Sipas BBC, rastet e reja arritën kulmin më herët këtë javë, pas një ndryshimi në mënyrën se si ato numëroheshin, por që atëherë nisi rënia. Në total, më shumë se 68 mijë persona janë infektuar në Kinë, ndërsa numri i viktimave në vend është 1665.

Jashtë Kinës ka pasur më shumë se 500 raste në gati 30 vende, ndërsa sot u konfirmua edhe viktima e parë në Europë. Bëhet fjalë për një shtetase kineze, 80-vjeçe që humbi jetën në një spital në Paris të Francës.